Akuzuan për dh*në një grup të rinjsh në Tiranë, Policia: Ishte konflikt me të mitur
Një grup turistësh italianë që kishin ardhur në Tiranë për pushime kanë denoncuar një incident ku pretendojnë se janë dhunuar fizikisht. Ngjarja, sipas raportimeve të mediave italiane, ka ndodhur disa ditë më parë në kryeqytet, ndërsa të rinjtë kanë publikuar edhe foto ku shfaqen dëmtime pas konfliktit.
Lidhur me rastin ka reaguar Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, e cila bëri të ditur se ngjarja është trajtuar menjëherë si vepër penale “Plagosja e lehtë me dashje”. Sipas policisë, incidenti ka ndodhur më 29 korrik 2026, rreth orës 22:00, në zonën pas Pallatit të Kulturës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 kanë shkuar në vendngjarje pas njoftimit për një konflikt, ku kanë gjetur shtetasin italian G.M. me disa dëmtime të lehta sipërfaqësore. Në atë moment ai shoqërohej nga dy persona të tjerë, ndërsa ndihma e parë i ishte dhënë fillimisht nga punonjës të Policisë Bashkiake që ndodheshin pranë zonës.
Turisti italian është dërguar për kontroll mjekësor, ku sipas policisë rezultoi jashtë rrezikut për jetën dhe me dëmtime të lehta. Pas marrjes së ndihmës së parë, ai është larguar me dëshirën e tij nga ambientet mjekësore, pa përfunduar të gjitha ekzaminimet.
Policia bëri me dije se shtetasi italian nuk ka pranuar të bëjë kallëzim për personat që dyshohet se ishin përfshirë në konflikt. Edhe dy shokët e tij nuk kanë dhënë të dhëna mbi rrethanat e ngjarjes.
Megjithatë, grupi hetimor ka vijuar punën për zbardhjen e plotë të situatës. Nga shqyrtimi i pamjeve filmike të siguruara nga zona ka rezultuar se turisti italian ishte përfshirë në një konflikt me një grup të miturish.
Autoritetet po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të përfshirë dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
KOHA JONË SONDAZH

