Berisha: E vranë në Ndroq si deshmitarë i zhdukjes së Jan Prengës në kompleksin “Golden”
Alfred Dedja mbeti i vrarë me armë zjarri, teksa po konsumonte një drekë në Ndroq, pasi u qëllua nga 27-vjeçari Julian Gjoshi. Julian Gjoshi është kunati i Altin Hajrit. Ky i fundit është pronari i kompleksit, “Golden”, ku para disa vitesh menaxher ka qenë pikërisht Alfred Dedja.
Ekzekutimi dyshohet se ka ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Dedja ndodhej në një lokal në zonë kur është qëlluar nga Gjoshi. Policia i ka gjetur një armë edhe viktimës. Ndërsa i riu, ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes me një makinë tip “Benz” dhe ende ndodhet në arrati.
Autori i dyshuar i vrasjes, Julian Gjoshi, ishte mik me Dedjan. Në momentin e ngjarje, viktima ka qenë duke drekuar me miqtë, kur në momentin që është futur në lokal 27-vjeçari, Dedja është ngritur për ta takuar, por ai e ka qëlluar me armë zjarri, pa i thënë asgjë.
Autori i dyshuar është një emër i njohur për autoritetet e drejtësisë. 27-vjeçari rezulton të ketë precedent të mëparshëm kriminal, ndërsa në vitin 2021 është arrestuar me pistoletë pa leje. Po ashtu ai rezulton të jetë kunati i Altin Hajrit, një nga personat e shumëkërkuar të policisë, që dyshohet për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës. Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” ku dyshohet se u ekzekutua Jan Prenga, del edhe në përgjimet e ”SKYECC”.
Sali Berisha tha se vrasja e Alfred Dedjas në Ndroq u krye për të eleminuar dëshmitarin e fundit të zhdukjes së Jan Prengës. Sipas Berishës, vrasja ka ndodhur për shkak se Altin Hajri ka kërkuar zhdukjen e tij.
“Dedja duhet të ishte një dëshmitar i mbrojtur, i cmuar, por nuk pati kurrë dëshirë për të zbardhur vrasjen e Jan Prengës. Këto që shihni ju, dosjet, vijnë nga jashtë. Dumani flen mbi to. Janë nisma të prokurorive partnere, asnjë nismë e tij” tha Berisha.
Kreu i demokratëve i referohet zhdukjes së Jan Prengës në hotel Golden në Shijak, një person që u vra me porosi pas një konflikti mes trafikantëve të drogës në Britaninë e Madhe. Për këtë ngjarje akuzohet Altin Hajri dhe të afërm të tij.
Vrasësi i identifikuar nga policia është Julian Gjosha, kunati i Altin Hajrit. Viktima kishte punuar më parë në hotelin e tyre.