Altin Dumani: Ka ende shumë punë për të çrrënjosur krimin e organizuar

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, tha ditën e sotme se beteja kundër krimit të organizuar mbetet një sfidë madhore për institucionet e drejtësisë në vend.
Dumani vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për ndërtimin e një sistemi drejtësie të paanshëm dhe efektiv, duke nënvizuar se vetëm përmes një angazhimi të përbashkët mund të arrihet një luftë e suksesshme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Është kënaqësi të gjendem këtu. Larmia e temave është tërheqëse, por qenia ime sot këtu është në vazhdën e takimeve të organizuara edhe në universitete të tjera për të vazhduar komunikimin tonë ndërinstitucional. Besimi dhe drejtësia janë elementë të rëndësishëm; pa drejtësi nuk mund të ketë paqe dhe pa llogaridhënie nuk mund të ketë demokraci. Reforma në drejtësi u realizua me ndryshimet thelbësore kushtetuese. SPAK u krijua për të goditur fenomenet që dëmtojnë shtetin. SPAK është një ndër produktet e reformës në drejtësi dhe ka treguar se ushtron të drejtën ndaj çdo subjekti, pavarësisht lidhjeve me botën e krimit të organizuar apo të objekteve të caktuara. Jemi të vetëdijshëm që ka shumë punë ende për të çrrënjosur krimin e organizuar. Dëshiroj të theksoj se përpjekjet për ndërtimin e një sistemi drejtësie të paanshëm nuk mund të jenë të njëanshme pa ndihmën e shumë institucioneve në bashkëpunim”, tha Dumani nga Universiteti i Durrësit.