Altin Dumani për gjyqin ndaj Veliajt: Të vijojmë pa avokat mbrojtës, kanë hequr dorë nga kjo e drejtë
Prokurori Altin Dumani ka kërkuar që Gjykata e Posaçme të shqyrtojë mundësinë e vijimit të procesit gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë, edhe pa praninë e avokatëve mbrojtës. Gjatë seancës, Dumani e cilësoi bojkotin e avokatëve si një shkak të paligjshëm për mosparaqitjen në gjykatë, duke argumentuar se sjellja e të pandehurve dhe mbrojtësve të tyre duhet të vlerësohet nga trupi gjykues.
“Mbrojtja është një e drejtë. Duke parë sjelljen e të pandehurve dhe avokatëve, vlerësojmë se Gjykata duhet të shqyrtojë mundësinë që ta konsiderojë sjelljen e tyre si heqje dorë nga kjo e drejtë dhe të vijojë gjyqin pa avokat”, deklaroi Dumani.
Në mbështetje të kërkesës së tij, prokurori iu referua edhe një precedenti të Gjykatës së Apelit, ku janë shqyrtuar çështje edhe në mungesë të avokatëve mbrojtës.
Bojkoti i avokatëve në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka sjellë sërish shtyrjen e procesit ndaj Veliajt dhe të bashkëpandehurve të tij. Seanca e radhës është caktuar më 27 tetor.
Në kuadër të procesit, gjykata ka caktuar avokatë kryesisht për të pandehurit. Dhoma Kombëtare e Avokatisë në vendimin e Mbledhjes së Përgjithshme të datës 23 shtator, ka vendosur të tërheqë listën e avokatëve kryesisht.

