Ambasada e SHBA: Avokatët do ndihmojnë Gjykatën e Lartë për shqyrtimin e shpejtë të dosjeve

Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar sot se SHBA do të ndihmojë nga ana teknike Gjykatën e Lartë për shqyrtimin numrit të madh të dosjeve që janë grumbulluar në këtë institucion.
Në një njoftim në Facebook, Ambasada bën me dije se një marrëveshje e USADI me këtë gjykatë do të mundësojë që një ekip i veçantë avokatësh shqiptarë do të punësohen për të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që gjykatësit të marrin vendime më shpejt.
“Gjykata e Lartë ka aktualisht pothuajse 35,000 dosje të prapambetura. Për të zgjidhur këtë problem, USAID dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor Shqiptar nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi më 29 prill, për të ofruar ndihmën teknike të nevojshme. Sipas kësaj marrëveshjeje, një ekip i veçantë avokatësh të zotë shqiptarë do të punësohen për të ndihmuar gjykatën që të veprojë me më shumë efikasitet dhe të mundësojë që gjykatësit të marrin vendime më shpejt”,- thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Ambasada shton se presin që numri i madh i çështjeve në Gjykatën e Lartë të zvogëlohet.
“Ashtu siç Shtetet e Bashkuara mbështetën fuqimisht miratimin e reformave gjyqësore, ashtu ne mbështesim fuqimisht zbatimin e plotë dhe në kohë të këtyre reformave. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Ne presim të shohim numrin e prapambetur të këtyre çështjeve që zvogëlohet sa më shpejt që të jetë e mundur”,– thuhet në njoftimin e Ambasadës së SHBA në Tiranë.

SHKARKO APP