Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, ka dorëzuar tek kryeministri Edi Rama progres-raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, dokument që vlerëson ecurinë e vendit në procesin e integrimit evropian dhe përcakton sfidat që mbeten përpara.
Raporti iu dorëzua këtë të enjte edhe Presidentit Bajram Begaj, i cili gjatë takimit e cilësoi atë si dëshmi të përparimit të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Begaj rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit deri në vitin 2027 dhe synimin për t’u bërë pjesë e BE-së në vitin 2030.
Në fokus të diskutimeve ishin gjithashtu reformat në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimi i lirisë së medias.



