Analizë/Rilindja në kërkim të 225 mijë armëve

Nga Redjon Shtylla

Sot, në një kohë që bota është në luftë me pandeminë e Covid-19, e ku në Shqipëri qeveria “Rama 2” ka nxjerrë të gjithë arsenalin e Policisë së Shtetit në terren, kjo për të kontrolluar mbajtjen e maskës në rrugë dhe mos lëvizjes pas orës 22:00, tani kërkon që shqiptarët të dorëzojnë armët. Hapja e depove në mars të vitin 1997, shënoi shpërthimin më të madh, ku shqiptarët bastisën magazinat e armatimit, dhe vendi gati ra në prag të një konflikti civil sa kundër shtetit dhe njëri-tjetrit. Gjatë 23 viteve të fundit, janë bërë tre amnisti, por pjesa më e madhe e armëve dhe municioneve të marra nga qytetarët nuk janë dorëzuar.

Amnistia e fundit për armët ishte në vitin 2017, ku u mblodhën vetëm 1604 armë zjarri, një shifër realisht shumë e vogël. Pas një viti diskutime, qeveria pritet të miratojë në Kuvend një amnisti të katër për armëmbajtjen pa leje, kjo për të nxitur shqiptarët që të dorëzojnë vullnetarisht armët dhe municionet, pa i ngarkuar me përgjegjësi penale. Amnistia mund të zgjasë nga 6 muaj deri në dy vite. Ndryshimet ligjore që u miratuan në parim nga Komisioni i Sigurisë, parashikojnë përjashtimin e personave me rekorde kriminale nga e drejta për të mbajtur armë zjarri me leje.

Nisma ligjore forcon rregullat për mbajtjen dhe kontrollin e armëve të zjarrit. Hartimi i kësaj amnistie mori dhe pëlqimin e zv/drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj. Ai tha se kjo çështje është një nga detyrimet që qeveria i ka caktuar Policisë së Shtetit për vitin 2021-2022, teksa sugjeroi që zbatimi të mos nisë gjatë periudhës zgjedhore apo pandemisë. Armët e poseduara nga populli më 1997, janë mbledhur 5% nga shteti dhe 30% nga trafiku i paligjshëm i armëve dhe statistika e publikuar së fundmi, ku rreth 40% e popullsisë e pajisur me armë është ireale dhe e pavërtetë. Që nga ajo kohë janë shpenzuar miliarda dollorë për mbledhjen e armëve. Nëse do të shohim shifrat e Ministrisë së Brendshme, mësohet se gjatë muajve gusht të periudhës 2016-2020, rastet e veprës penale “armëmbajtje pa leje” kanë shënuar nivelin më të lartë në gusht 2019 me 123 raste dhe nivelin më të ulët në gusht 2020 me 76 raste të evidentuara. Referuar të dhënave, gjatë 8 mujorit të vitit 2020, janë shënuar 9.4% vepra penale “armëmbajtje pa leje” më pak krahasuar me 8 mujorin e vitit 2019.

Me përfundimin e karantinës dhe rikthimin e normalitetit, krimi u rikthye frikshëm në Shqipëri, me ngjarje të rënda. Nga muaji maj deri në fillim të gushtit, kanë ndodhur 17 ekzekutime. Pjesa më e madhe e ngjarjeve kriminale janë në Durrës, në Laç, Elbasan, por edhe në Tiranë. Ekspertët kriminalistikë të policisë, pohojnë se pati një rritje të menjëhershme të vrasjeve, pasi në vend rifilluan të lehtësoheshin masat për lëvizjen e qytetarëve. Po tani, a po kërkon qeveria që ti paraprijë një skenari të ngjashëm, ndaj dhe kërkon dorëzimin vullnetar të armëve? Pikëpyetjet janë të shumta. Politika e qeverisë ngre dilemën për këtë veprim, ku lind pyetja sesi do të ndikojë në parandalimin dhe uljen e numrit e të vrarëve me armë zjarri?

Ka nga ata që mendojnë se lejimi me ligj i armëve në vend, do të jetë më rezultativ për uljen e numrit të të vrarëve, si dhe në parandalimin, identifikimin dhe zbulimin e atorëve të krimit. SHBA-ja e ka të ligjëruar armëmbajtjen. Në shumë raste nuk kanë munguar reformat për kriminalizimin e më tejshëm të Kodit Penal me argumentimin se duke rritur masat mund të parandalohen krimet, por praktika në vend dhe ajo ndërkombëtare, ka treguar sesa më shumë të kriminalizohet Kodi Penal, aq më shumë rritet konflikti qytetar-ligjevënës. Në Kodin Penal është hequr dënimi me vdekje, por sërish ka tendencë për ta ashpërsuar sa herë në vend ndodh një krim i rëndë. Shqipëria është cilësuar si qendra e Ballkanit dhe rrugë tranziti për trafikimin e armëve nga Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi. Akoma në duart e qytetarëve ndodhen një numër i konsiderueshëm armësh.

Bilanci i armëve

Grabitur më 1997

839,310,038 municione
16,000,000 eksplozivë
449,775 armë

Grumbulluar në mars 1997-qershor 2005

118,134,222 municione
1,539,828 eksplozivë
222,918 armë

Grumbulluar në janar-prill 2017

1.603 armë zjarri
1.558 granata dore
580.634 municione

SHKARKO APP