AP: Të pezullohen prishjet në Hudënisht

Avokati i Popullit ka reaguar pas aksionit të INUK për prishjen e ndërtimeve në Hudënisht të Pogradecit.

Sipas AP, INUK duhet të respektojë procedurat, ndaj duhet pezulluar çdo vendim i mëtejshëm në rastet kur nuk janë respektuar procedurat.

Ndërkohë aksioni i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik ka vijuar sot në ditën e tretë në Hudënisht.

Në qendër të prishjeve janë objektet, të cilat preken nga projekti i qeverisë për rregullimin e bregut të liqenit.

Prishja ka vijuar normalisht dhe nuk ka hasur në rezistencë nga ana e pronarëve.

Nesër pritet të shembet me shpërthim të komanduar edhe një objekt 5-katësh.

Të martën pati rezistencë me një familje të ngujuar në biznesin e tyre.

Forca të shumta policie kanë hapur derën e lokalit duke nxjerrë jashtë të gjithë pjesëtarët e familjes së ngujuar.

Mes personave të cilët kundërshtonin futjen e policisë në lokal ishte edhe avokati i kontraktuar nga familja, Altin Goxhaj, i cili më vonë u shoqërua edhe për në rajonin e policisë.

Ai u lirua më vonë.

Në orët e pasdites, familjarët kanë filluar të nxjerrin vetë pajisjet dhe orenditë.

SHKARKO APP