Asllan Dogjani: Turp për ne demokratët që vjedhim njëri tjetrin në Primare! Manipulime dhe fletë votimi tepër!

Nga Asllan Dogjani*

Primaret në themel kanë qenë procesi më i mirë në Partinë Demokratike, por hajdutët brenda sistemit e prishën procesin në Kamëz.

Nuk e kuptoj se si do kenë fytyrë këta njerëz nesër tu kërkojnë votën atyre nënave demokrate, baballarëve, të rinjve e të rejave që dje ju përplasën derën në fytyrë dhe nuk i lanë për të votuar.

Nuk e di se si do kërkojmë proces të rregullt nesër kur ne sot vjedhim njëri-tjetrin.

Nuk u mjaftuan, nuk u kënaqën me heqjen e demokratëve nga lista e votimit, por futën edhe duart në kutitë e votimit.

Në një Qendër Votimi mungonin 100 fletë votimi, në një tjetër kishte fletë votimi tepër. Vëzhguesi  ka konstatuar fletë votimi nëpër tokë të plotësuar, mungonin listat e votimit, nuk dihej sa kishin votuar, shumë fletë votimi pa vulë e shumë e shumë probleme të tjera.

Të gjithë këto parregullsi janë të dokumentuar në procesverbalet përkatëse.

Unë jam i bindur se primaret kanë qenë gjëja më e mirë në Partinë Demokratike ashtu siç jam i bindurr se Sali Berisha ka bërë përpjekjet maksimale që ky proces të jetë i ndershëm por kjo nuk do te thote se ne duhet te heshtim por  jam i bindur se Partisë Demokratike i bën mirë transparenca, i bën mirë reagimi im dhe i çdo demokrati ndaj të keqes edhe brenda vetvetes.

*Asllan Dogjani është kandidat në Primaret e PD në Bashkinë Kamëz

SHKARKO APP