Atentati me eksploziv, arrestohet “i forti” i Kukësit, nuk kishte paguar edhe dritat

Është vënë në pranga Ardian Trota, “i forti” i Kukësit të cilit iu bë një atentat me lëndë eksplozive gjatë mëngjesit të sotëm në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës.

Ministria e Brendshme kanë bërë të ditur se pas nisjes së hetimeve të shpërthimit dhe vlerësimit të gjendjes së të plagosurit, ai është vënë në pranga sepse ka ikur nga “arresti në shtëpi”. “Gjykata e rrethit Gjyqësor Kukës në datë 12 janar 2015, ndaj këtij personi ka caktuar masën e sigurimit  “Arrest shtëpie” për veprat penale  të “Dhunës në familje”, “Vjedhje të energjisë elektrike” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, kanë bërë të ditur burimet zyrtare policore.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Në datë 17 janar 2015 rreth orës 09:30 në vendin e quajtur Shkallnur të qytetit Durrës, në rrugën dytësore Plepa-Golem, ka ndodhur një shpërthim në automjetin tip “Mercedes Benz” me targa “AA 765 FN”, në pronësi të shtetasit Ardian Trota, 44 vjeç, lindur dhe banues në Kukës.

Në vendngjarje ka shkuar menjëherë grupi hetimor në përbërje të të cilit kanë qenë edhe specialistë të Njësisë Antieksploziv Tiranë, si dhe specialistë të Drejtorisë së Policisë Shkencore Tiranë.

Nga hetimet paraprake rezulton se në momentin e shpërthimit Ardian Trota ka qenë afër automjetit, i cili ishte parkuar pranë banesës së këtij personi tek Shkëmbi i Kavajës.

Si pasojë e shpërthimit Trota ka pësuar dëmtime fizike dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës është jashtë rrezikut për jetën.

Nga këqyrja e vendngjarjes janë gjetur dhe administruar në cilësinë e provës materiale mbetje të shkaktuara nga shpërthimi i lëndës plasëse.

Po vazhdon puna për sqarimin e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje, ndërsa materialet proceduriale ju referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës.

Pas verifikimeve të kryera në lidhje me shtetasin Ardian Trota ka rezultuar se:

Gjykata e rrethit Gjyqësor Kukës në datë 12 janar 2015, ndaj këtij personi ka caktuar masën e sigurimit  “Arrest shtëpie” për veprat penale  të “Dhunës në familje”, “Vjedhje të energjisë elektrike” dhe “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Në kushtet kur Ardian Trota është larguar nga banesa dhe nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës nga shërbimet e policisë është bërë arrestimi në flagrancë i tij për veprën penale të “Largimit të të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

SHKARKO APP