Atentati ndaj Arben Sulojt, Naço: Masa urgjente për të përforcuar sistemin e burgjeve në vend

Pas atentatit që iu bë sot drejtorit të burgut të Fushës Krujës, Arben Sulojt, Ministria e Drejtësisë ka marrë masa urgjente për të përforcuar të gjithë sistemin e burgjeve në vend me qëllim që ngjarja të mos ketë asnjë pasojë në këtë sistem.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se është në gatishmëri për të ndihmuar në hetimin dhe zbardhjen e atentatit që u krye ndaj z.Suloj.

Në deklaratën për mediat të këtij institucioni thuhet se “ministria e ka përcjellë me shqetësim ngjarjen e rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm ndaj Drejtorit të Burgut të Fushëkrujës z. Arben Suloj.

Ky institucion po ndjek me vëmendje të veçantë dinamikën e ngjarjes dhe shpreh të gjithë gadishmërinë për të ndihmuar në hetimin dhe zbardhjen e plotë të saj.

Me marrjen e njoftimit mbi ngjarjen, Ministri i Drejtësisë, z.Nasip Naço ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për marrjen e masave që do të mundësojnë forcimin e sigurisë në sistemin penitenciar në tërësi, duke informuar në mënyrë periodike-ditore mbi situatën dhe zhvillimet e brendshme të këtij sistemi.

Gjithashtu Ministri i Drejtësisë, z. Nasip Naço, inkurajon organet përkatëse të vënë sa më shpejt përpara përgjegjësisë autorët,”- thuhet më tej në deklaratë.

SHKARKO APP