Avokatët kundër hartës së re gjyqësore, nga nesër paralajmërojnë bojkot: Jemi fyer!
Kreu i Dhomës së Avokatisë Maks Haxhia ka lajmëruar se për shkak të hartës së re gjyqësore të prezantuar është marrë vendim të bojkotohen seancat gjyqësore nga dita e martë dhe deri të premten e kësaj jave.
Kjo sepse sipas tij nuk janë marrë parasysh kërkesat e avokatëve për hartën e re gjyqësore.
Sipas avokatëve, duhet të mbeten 4 Gjykata Apeli në të gjithë vendin, dhe jo vetëm ajo e Tiranës.
“Komiteti drejtues i dhomës së avokatisë vlerësoi këtë situatë, të gjithë procesin ku ai ka marrë pjesë në 6 tavolina të rrumbullakëta, e konstatoi se duke analizuar vendim nuk ishte bërë asnjë ndryshim. Duke ndierë veten të fyer se tani ishte realitet që këto tavolina kanë qenë një farsë propagandistike, formalitet, për të treguar që është marrë dhe mendimi i aktorëve të drejtësisë, vendosëm të bojkotojmë njëzëri të gjitha proceset në gjithë nivelet e gjykimit përfshirë dhe gjykatën e Lartë, proces që nis nesër dhe mbaron të premten.
Me këtë bojkot synojmë të sensibilizojmë gjithe shtetasit se duhet ta kenë të qartë që të gjithë personat fizikë dhe juridikë, që do kenë nevojë për zgjidhjen e cështjeve të ndërgjegjësohen duke dhënë mesazhi që vetëm interesat e tyre nuk po përfaqësohen nga kjo hartë gjyqësore. Kjo hartë cenon rëndë aksesin në drejtësi të individëve e personave juridike por rrit kostot e shpenzimet dhe më kryesorja se duke ardhure në një gjykatë apeli në Tiranë që sot është në kushte konfuze e të një amullie për zgjidhjen e cështjeve, gjyqet shtyhen imagjino që do jetë e gjithë Republika.
Kërkuam të ngelen ose 3- 4 Apele në gjithë Republikën, ne Shkoder po e po, ne Elbasan.
Nje vendim i ligjshëm në të drejtën e grevave dhe protestave, masat e sigurisë nuk do bojkotohen.
Unë shpresoj se kjo grevë të jetë këmbanë për Ministrinë e Drejtësisë që të merren parasysh kërkesat tona që do ua bëjmë me dije edhe juve. Këto nuk janë interesat e avokatëve por të personave fizikë dhe juridikë sepse pas çdo avokati është një person. Nuk mund të paravendosim plan por e kemi lënë të hapur që komiteti drejtues do mblidhet këshilli i përgjithshëm për të përcaktuar qëndrimin që do ndjekim. Të gjithë janë pajtuar. Nëse do ketë njeri që nuk respektojmë vendimin do procedohet disiplinarisht deri në heqjen e licencës. Kjo situatë që është krijuar nuk mund të zgjidhet me një situatë që krijon më shumë probleme”, tha Maks Haxhia.