Avokati Gërdupi shpjegon se çfarë do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese në 2 dhjetor për Ballukun
Avokati Ili Gërdupi, në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, shpjegoi se çfarë konkretisht do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese në 2 dhjetor për Ballukun dhe pezullimin e saj nga detyra.
“Kërkesa për Ballukun është që vendimi i pezullimit nga detyra të pezullohet nga Gjykata Kushtetuese. Do të duhet që mbledhja e 8 gjyqtarëve që janë aktualisht në detyrë të vendosin nëse vendimi i Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit do të pezullojë efektet e veta deri në shqyrtimin e gjykatës kushtetuese, ose jo.
Nuk ka patur raste të deritanishme që gjykata kushtetuese të marrë në shqyrtim një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë, pa patur më pas ezaurimin e Apelit dhe Gjykatës së Lartë dhe rrjedhimisht unë nuk mund t’ju them sa janë gjasat që kjo të ndodhë, sepse është një rast krejt i paprecedent që nuk ka ndodhur më parë.
Në rastin konkret, ne kemi një kërkesë që të pezullohet një vendim që është i Shkallës së Parë, pra pa u shqyrtuar ende nga Apeli dhe nga Gjykata e Lartë.
Dhe rrjedhimisht, nuk e di nëse Gjykata Kushtetuese do të jetë në gjendje, do të ketë edhe kompetencën ligjore që të mund të thotë që të pezullojë një vendim, i cili pezullon zonjën Balluku nga detyra.
Themeli i kërkesës është a ka shkelje të kompetencave, pra a ka ky cenimi i imunitetit që po i bëhet zonjës Balluku? A është vetëm një cenim i imunitetit procedurial, pra i imunitetit të parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale?
Kjo është një çështje që shkon tek thelbi i konfliktit dhe i drejtohet konfliktit midis pushteteve. Pra nuk prek në mënyrë të drejtpërdrejtë zonjën Balluku. Nëse do të ketë një vendimarrje që ka cenime dhe ka shkelje të kompetencave, Gjykata e Posaçme nuk do të mund ta merrte këtë masë sepse është një cenim pushteti, atëherë do të rrëzohej masa e pezullimit dhe zonja Balluku do të mund të rikthehej në detyrë”- tha avokati Gërdupi.
KOHA JONË SONDAZH

