Avokati i njohur: Rrihni çdo polic dhe vrisni çdo patronazhist. Reagon policia: Këto janë thirrje për dhunë!

Policia e Tiranës ka njoftuar se ka nisur procedimin penal për avokatin e kreut të PD Sali Berisha, Genc Gjokutaj, për shkak se ka bërë thirrje për veprime të dhunshme.

Mëngjesin e sotëm Gjokutaj postoi një status në rrjetet sociale, ku reagonte në lidhje me ndryshimet e Kodit Zgjedhor të miratuara mbrëmjen e djeshme në Kuvend. Gjokutaj ka bërë thirrje për revoltë popullore, ndërsa u ka kërkuar qytetarëve të thyejnë sportele e të rrahin efektivët policorë të cilët sipas tij mbrojnë hajdutët në pushtet.

Ai ka shkuar edhe më tej duke u kërkuar shqiptarëve të vrasin patronazhistët, të cilët sipas avokatit po u vjedhin qytetarëve të ardhmen.

Postimi i Gjokutajt:

Te dashur Shqiptare!

Diktaturat nuk rrezohen me kode zgjedhore!

As me amendime ligjesh!

Hajduti kapet ne vjedhje dhe jo me permiresim te ligjit apo ashpersim denimi!

Vetem revolta popullore dhe forca njerezore shkulin hajdutet nga pushteti!

Shqiptare qe e doni Shqiperine dhe jo qe dini shqip!

Dilni nga shtepite sot!

Thyeni çdo sportel qe ju kerkon shpirtin!

Rrihni çdo polic qe mbron hajdutet!

Vrisni çdo patronazhist qe ju vjedh te ardhmen dhe familjen!

Vetem keshtu Shqiptaret mund te behen Zoterinj dhe Shqiperia Zonje!

Ndërkohë vjen njoftimi i policisë:

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në ngarkim të shtetasit G .Gj., me profesion avokat, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme“, parashikuar nga neni 223 i Kodit Penal.

Procedimi ndaj këtij shtetasi filloi pasi gjatë monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura të informacionit nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, është konstatuar një postim, i publikuar nga shtetasi G. Gj., i cili bën thirrje për të kryer veprime të dhunshme, postim ky i cili konstatohet se është publikuar dhe në media të ndryshme online.

Materialet i kaluan Prokurorisë”- përfundon njoftimi i policisë.

Por pas kësaj ka reaguar përsëri avokati i njohur. Avokati Genc Gjokutaj reagoi pas lajmit se ndaj tij ka nisur një procedim penal.

POSTIMI I PLOTË

Të nderuar miq!

Mbrëmë kam bërë një status në të cilin bëhet fjale mbi konceptin tim për rrotacionin politik, i cili duhet te bazohet tek protesta popullore!

Thirrjet në status si … thyeni çdo sportel që ju merr shpirtin, nënkupton kundërshtimin ndaj administratës së korruptuar në abuzimin me fondet publike!

Thirrja … rrihni çdo polic që mbron hajdutët, nënkupton kundërshtimin dhe mosbindjen civile ndaj shtetit që merr në mbrojtje hajdutët!

Thirrja … “vrisni” çdo patronazhist që ju vjedh të ardhmen dhe familjen, nënkupton zhdukjen e sistemit të patronazhimit, i cili vjedh votën e lirë!

Të nderuar miq!

Sot nëpërmjet medias erdha në dijeni të procedimit penal ndaj meje në lidhje me këtë status!

Konsideroj dhe bëj me dije se asnjëherë në jetën time nuk kam shkelur ndonjëherë ligjin!

Protesta ime e shprehur në çdo lloj forme nuk ka lidhje me dhunën, por me forcën e opozitës në përballjen me shtetin që po gërryhet çdo ditë nga korrupsioni!

Ju garantoj se kam qenë e mbetem një kundërshtar i kësaj mazhorance duke luftuar çdo ditë për mbrojtjen e ligjit dhe lirisë së nëpërkëmbur nga pushteti!

 

SHKARKO APP