Babai dhe djali në rrjetin e prostitucionit. Ja si u zbulua trafiku i vajzave nga Tirana

Prokuroria ka dhënë detaje mbi arrestimin e 4 personave që kishin krijuar një rrjet prostitucioni në Tiranë. Në praga kanë rënë;Qemal Rusi, Amarildo Rusi, Donald Saraçi dhe Ismail Gjineci.

Hetimi ka nisur me 9 qershor 2014. Amarildo Rusi, banues në Tiranë, në bashkëpunim me babain e tij Qemal Rusi dhe, me persona të tjerë dyshohet se është i përfshirë në aktivitetin kriminal të trafikimit të femrave jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.

Nga të dhënat, shtetasi Amarildo Rusi dyshohet se kryen rekrutimin e femrave, asistimin e tyre në pajisjen me dokumenta udhëtimi dhe, më pas, dërgimin e tyre në drejtim të Italisë. Në Itali ato priten nga babai i tij, i dyshuari Qemal Rusi dhe nga persona të tjerë, të cilët i strehojnë dhe i shfrytëzojnë për prostitucion.

Njoftimi i prokurorisë

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se Amarildo Rusi komunikonte vazhdimisht me babain e tij shtetasin Qemal Rusi, të ndodhur në Itali, duke e informuar për veprimet e kryera në funksion të rekrutimit të shtetases A.M, me qëllim shfrytëzimin për prostitucion. Pas krijimit të lidhjes intime, Amarildo i kërkoi A.M të shkonin të jetonin në Itali. Biseda e Amarildos me babin e tij, Qemal, të ndodhur në Itali dha të dhëna se qëllimi i udhëtimit të Andjas në Itali ishte shfrytëzimi për prostitucion.

Nga informacionet e marra u dyshua se Qemal Rusi dhe persona të tjerë, bashkëpunëtorë të tij, ishin duke shfrytëzuar shtetaset G.S dhe A.LL të cilat, paratë e fituara ia dërgonin Amarildos nëpërmjet agjencive të transferimit të parave.

Në ecurinë e hetimit rezulton se i dyshuari Amarildo komunikon hapur me babain e tij Qemalin në lidhje me qëllimin e tyre për rekrutimin e vajzave të ndryshme. Gjatë muajit Korrik në Shqipëri rezulton të ketë ardhur Qemali (dt 24.07.2014) i cili ka kryer takime të shumta për rekrutimin apo sigurimin e ndonjë vajze me qëllim që ta merrte me vete në Itali dhe të punonte si prostitutë. Rezultoi se më datë 01.09.2014 i dyshuari Qemal Rusi planifikoi të udhëtonte në drejtim të Italisë me shtetasen E.R, e cila ka kaluar kufirin shqiptar, ndërsa vetë Qemali është kthyer për shkak të mosrespektimit të ditëve të qëndrimit sipas marrëveshjes shengen. Më datë 24.09.2014 shtetasit Qemal Rusi dhe Amarildo Rusi flasin shumë qartë për veprimtarinë e tyre të shfrytëzimit, në Itali dhe Shqipëri, për E.R dhe për planifikimin për të ikur në ndonjë vend tjetër të Evropës, diskutohet Zvicra.

Por ky i dyshuar është nisur më datë 03.09.2014 nga PKK Rinas në drejtim të Italisë, ku pas kësaj date rezulton që shtetësja E.R ka filluar të ushtrojë prostitucion dhe fitimet e saj ia jep të dyshuarit Qemal. Kjo shtetase ka ardhur në Shqipëri për një periudhë dy-tre ditore dhe është rikthyer sërish në Itali.

Mbi bazën e provave të grumbulluara deri në këtë fazë, u dyshua se shtetasi Amarildo sëbashku me të dyshuarit e tjerë Donard Saraçi dhe Ismail Gjineci zhvillonin aktivitetin kriminal të shfrytëzimit të disa vajzave si prostituta. Në datë 15.11.2014 rezultoi se Amarildo nxori të punojë si prostitutë edhe shtetasen A.M, të cilën e kishte prezantuar tek familja e tij si të dashurën e tij.

Po ashtu rezulton se të dyshuarit komunikojnë me disa vajza të cilat i ndihmojnë që të kryejnë aktivitetin e prostitucionit dhe fitimet që rrjedhin nga ky aktivitet i ndajnë bashkërisht. Ka të dhëna se i dyshuari Amarildo Rusi shfrytëzon shtetaset me emrin M., ndërsa shtetasen me emrin R. ai e mban në shtëpi dhe në datë 03.12.2014 Amarildo flet me Ismail Gjinecin dhe bisedojnë për ta dërguar këtë vajzë, pra R. në Itali, tek i dyshuari Qemal Rusi, me qëllim që ajo të punojë atje. Edhe Qemal Rusi ka planifikuar të vijë në Shqipëri. Ndërkohë shtetasi i dyshuar Donard Saraçi ka komunikime dhe dyshohet se shfrytëzon shtetaset të identifikuara deri më tani me emër E., J. dhe G..

Në kuadër të hetimit, u identifikuan dy vajza, të cilat rezultuan objekt shfrytëzimi. Njëra prej tyre, shtetësja M.L është njohur me të dyshuarit Amarildo dhe Qemal Rusi. Në muajin Dhjetor, Amarildo i prezantoi Benin, si dajën e tij, ndërsa në fakt flitej për Qemal Rusin. Ky i fundit e shoqëroi për të përgatitur dokumentacioni për të udhëtuar drejt Italisë, konkretisht për të nxjerrë një pasaportë biometrike. Shtetësja M.L, pasi u informua se Beni i keqtrajtonte femrat në Itali, u largua prej këtyre shtetasve. Ndërsa shtetësja tjetër R.K ka njohur rastësisht Amarildon nga një shok i saj i quajtur. Ajo, pasi ka qëndruar disa ditë në shtëpinë e Amarildos, pasi ishte larguar nga shtëpia e saj, ai i ka thënë se nuk kishin me cfarë të jetonin dhe se duhej të gjenin një zgjidhje, dhe se ajo duhej të punonte me klientë. Një ditë R.K ka qenë me Amarildon dhe kanë vajtur tek rruga e Kavajës ku aty kanë takuar babain e Amarildos të quajtur Qemal, dhe një shtetas tjetër, taksist. Më pas po atë ditë, taksisti e ka marrë në telefon Amarildon dhe i thotë hajdeni se kemi një punë në Durrës. Ata Amarildo dhe R.K janë kthyer tek taksitë tek rruga e Kavajës dhe ajo ka hipur tek taksia, i cili e ka marrë dhe e ka dërguar tek një pjesë e rrugës që të con për në Durrës, ku aty e priste një klient, me të cilin shkoi në një hotel në Plazh, dhe pasi mbaruan ai i dha 150 Euro dhe e coi tek taksia. Romina qëndron e strehuar në një nga qendrat e strehimit të vajzave të trafikuara në Tiranë.

Nga ana tjetër rezulton se më datë 07.01.2015 rreth orës 11.34 ka mbërritur në Shqipëri i dyshuari Qemal Rusi.

Më datë 14.01.2015 i dyshuari Qemal Rusi, pasi paraprakisht ka siguruar se shtetësja V,Z do të udhëtonte për në Itali për të punuar për llogari të tij, si prostitutë, është nisur në drejtim të Italisë. Nga kontrolli i kryer nga punonjësit e Drejtorisë së Kufirit në Rinas atij iu gjetën me vete, disa dokumenta të falsifikuar, konkretisht një pasaportë me gjeneralitete bullgare, por me foton e shtetases A.LL, si dhe një kartë identiteti, një leje drejtimi automjeti bullgare dhe një kartë sanitare italiane. Materialet i janë dërguar Prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, pasi dokumentat i janë sekuestruar dhe ndjekja e Qemalit për këtë fakt është bërë në gjendje të lirë.

Pas këtij fakti të dyshuarit Qemal Rusi dhe Amarildo Rusi kanë biseduar me njëri tjetrin dhe me vajzat që shfrytëzojnë dhe për mënyrën e komunikimit të mëtejshëm midis tyre, gjatë ushtrimit të këtij aktiviteti.

Nga sekuestrimi i të dhënave pranë një shoqërie tregtare jobankare, rezulton se shtetasit Amarildo Rusi dhe Qemal Rusi për periudhën në hetim kanë dërguar ndërmjet tyre disa herë para nëpërmjet këtij Institucioni Financiar, por ashtu me rëndësi për hetimin janë katër dërgesa parash nga shtetësja A.LL shtetasit Qemal Rusi në datat 02.08.2014, 20.08.2014, 01.09.2014 dhe 02.09.2014 pasi dhe shumat e dërguara, rezultojnë se janë rezultat i punës së bërë nga shtetësja A.LL si prostitutë në Itali.

 

 

SHKARKO APP