Bamir Topi: Udha e demokratëve me Berishën ka përfunduar me 11 maj. Duhet zgjidhje tjetër për t’u rikthyer në pushtet
Ish-kreu i shtetit Bamir Topi e vlerësoi si hipokrizi të konfirmuar qëndrimin e kryetarit të PD, Sali Berisha pas zgjedhjeve, pasi siç shtoi Topi, lidershipi demokrat e dinte epilogun e 11 majit. Këshilla e Topit për PD-në dhe demokratët ishte të mbyllin përfundimisht raportin shpirtëror politik me Sali Berishën.
“Pazari vazhdon”! Kështu shprehet ish-Presidenti Bamir Topi teksa analizon zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke ngritur dyshime për një pakt të heshtur mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ai solli në vëmendje bashkimin e votave të përfaqësuesve të PS dhe PD në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve ku u rrëzuan kërkesat e 4 kandidatëve të PD për rinumërimin e votave nominale. Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja, Mimoza Hajdarmataj dhe Lisandër Hoxha pretenduan për parregullsi dhe vota të devijuara tek kandidatët e tjerë. Vendimin e KAS, ish-kreu i shtetit Bamir Topi e quan si vijim të pazarit mes Ramës dhe Berishës.
“Ata duhet të jenë të lumtur. Dhe brenda tyre ndihen të lumtur”, thotë ish-presidenti demokrat.
“Ka një hipokrizi tanimë të konfirmuar të Sali Berishës për atë çka ai demonstron në ditët pas zgjedhjeve. Jo në sensin personal, por ka një shfaqje hipokrizie. Njeriu që e dinte dhe e perceptonte rezultatin në mënyrë shumë realiste, është ai. Këtu mbaron besimi që çdo njeri, demokrat, njeri i lirë në zgjedhjet e tij, pjesa gri, për më tepër intelektualët, po të kenë pak sens analize, duhet të mbyllin në mënyrë definitive raportin shpirtëror politik me Sali Berishën. Nuk është çështje e një marrëdhënie personale, ato janë lënë pas, por flas këtu për interesin publik, interesi publik nuk është vetëm ditën që hedh votën, por interesi publik është mbrapa, a përfaqësohesh politikisht apo jo, a realizohen premtimet apo jo, a të kthehet besimi tek institucionet apo jo, a është ky shtet i partive apo i individit… Ndërkohë që duhet të ishte, partitë politike në Parlament ndërtojnë shtetin e të gjithëve. Fakti që shoqëria shqiptare ndahet, edhe në ata që ndahen pjesë në zgjedhje gati-gati ekuivalente, tregon 2 gjëra, e para ky sistem nuk funksionon dhe nga ana tjetër tregon që ky shtet nuk është më i qytetarëve por është shteti i interesave politike dhe të njerëzve të lidhur me politikën”, tha Topi.
Me tej Bamir Topi shtoi se udha e demokratëve me Berishën ka përfunduar. Duhet riorganizim ndryshe dhe me lider tjetër për opozitën. Ndryshe rrezikojmë që PD-ja të humb edhe zgjedhjet e vitit 2029.
KOHA JONË SONDAZH

