“Banda e tritolit”, nëna e peshkatarit në gjyq: Nuk i njoh dy kushërinjtë Mëhillaj

Gjykata e Krimeve të Rënda dëgjoi dje në procesin penal ndaj Julian Sinanajt dhe gjashtë të akuzuarve të tjerë, si anëtarë të të ashtuquajturës banda e tritolit, dëshmi të familjarëve dhe miqve të peshkatarit të ndjerë, Sokol Veizit. E para ka dëshmuar nëna e Veizit, e cila ka shpjeguar se natën e vrasjes, një person ka trokitur në derën e tyre dhe i ka njoftuar për ngjarjen e rëndë, ku i biri kishte humbur jetën. “Nuk di të ketë pasur probleme. Nuk i njoh dy kushërinjtë, Genis e Andon Mëhillaj. Sa për pronat, ne kemi toka në Orikum, të trashëguara”, ka thënë gruaja. Ndërsa, personat që janë gjendur në të njëjtën tavolinë me Veizin kur Julian Sinanaj e qëlloi për vdekje, sikurse ka pohuar vetë, kanë shpjeguar me detaje momentet e tmerrit, kur një person me kapele në kokë u afrua pranë tyre dhe u kërkoi të largoheshin nga tavolina. “Na kërcënoi dhe më pas ai mori Sokolin dhe e largoi nga tavolina. Më pas e qëlloi për vdekje”, thanë ata. Banda e tritolit akuzohet në total për 38 vepra penale, ndërkohë që dy personat kyç të kësaj bande, Julian Sinanaj dhe Ndriçim Gjokona kanë zgjedhur që të bashkëpunojnë me drejtësinë shqiptare, duke treguar detaje dhe emra të tjerë për të gjitha krimet në të cilat ata të dyshohen se janë përfshirë. Prej muajit nëntor te Gjykata e Krimeve të Rënda zhvillohen seancat për bandën e tritolit, të cilat kohët e funditpo zhvillohen me dyer të mbyllura. Sipas prokurorisë, hetimi ndaj tyre ka nisur në janar të vitit 2014, pas disa atentatesh me armë zjarri dhe lëndë plasëse që ndodhën ose mbetën në tentativë në Vlorë dhe Tiranë. Në përfundim të këtyre hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë të pandehur 7 persona, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.

SHKARKO APP