Banorët e Librazhdit dalin në protestë: Duam hyrje të re në ”Elbasan-Qafë Thanë”

Një tjetër segment i autostradës Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII, ka nisur të përdoret nga drejtuesit e automjeteve. Segmenti me gjatësi 7.5 kilometra shtrihet nga dalja e Labinot-Fushës deri në Mirakë dhe ka nga dy korsi për secilin drejtim, ndërsa shpejtësia e lejuar arrin deri në 90 km/orë. Hapja e rrugës së re ka sjellë pakënaqësi te banorët e zonave Polis dhe Valë në Librazhd. Ata protestuan këtë të hënë, duke kundërshtuar mënyrën se si është realizuar lidhja e zonave të tyre me autostradën.

Sipas banorëve, mungesa e një hyrje-daljeje pranë urës së Mirakës i detyron ata të përdorin aksin në Xibrakë, duke u shtuar ndjeshëm distancën e përditshme. “Vijmë nga Librazhdi, duhet të ikim në Xibrakë. 3.7 kilometra për të shkuar dhe 3.7 kilometra për të ardhur. Ne shkojmë përditë, çojmë fëmijët në shkollë”, shprehen banorët.

Ata thonë se situata është veçanërisht problematike për transportin publik dhe për familjet që kanë nevojë për shërbime shëndetësore. “Këta s’kanë lënë një xhep, s’kemi nga të zbresim. S’do të vijnë të gjithë me makina, ka edhe furgonë e autobusë. S’kalon as furgoni, as autobusi”, shprehet një prej banorëve.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas tyre, përdorimi i hyrje-daljes në Xibrakë u shton rreth 6 kilometra rrugës, ndërsa kërkesa e tyre është që të krijohet një lidhje pranë urës së Mirakës. “Jemi 15 familje këtu në krahun tjetër që na mbyllën pardje. Nuk na kanë dhënë asnjë zgjidhje. Kam njerëz të sëmurë që i çoj për dializë dhe nuk kam asnjë zgjidhje”, deklaron një tjetër banor.

Swiss Digital Mobile Reklama

Banorët kanë komunikuar edhe me Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), nga ku u është bërë e ditur se do të kërkohet një zgjidhje teknike. Megjithatë, sipas përgjigjes së marrë prej tyre, ndërtimi i një hyrje-daljeje të re është i pamundur në këtë fazë, pasi segmenti është përfunduar. Punimet vijojnë në lotet e tjera të projektit për zgjerimin e rrugës Elbasan-Qafë Thanë. Investimi, me një vlerë prej rreth 215 milionë eurosh, parashikohet të përfundojë në dhjetor të vitit 2027.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?