Bashkëpunimi me Universitetin e Teknologjisë në Francë, ministrja Manastirliu: Hap drejt ndërkombëtarizimit

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu vlerësoi sot hapjen e programit master në “Inteligjencë Artificiale dhe Optimizim”, në bashkëpunim me Universitetin e Teknologjisë së Compiègne në Francë, me diplomën e dyfishtë të delokalizuar.
Manastirliu u shpreh se ky është një tjetër hap përpara drejt ndërkombëtarizimit të Universitetit Politeknik të Tiranës.

Ministrja priti sot në një takim Claire Rossi, Presidente e Universitetit të Teknologjisë së Compiègne (UTC) dhe përfaqësues të këtij Universiteti. Në takim ishte po ashtu i pranishëm edhe Rektori i Universitetit Politeknik të Tiranës prof. Andrea Maliqari.

“Po punojmë së bashku për të mundësuar për herë të parë, përmes programit Erasmus Mundus, diplomën e katërfishtë mes Universitetit të Genovës, Itali, Universitetit të Catalunya, Spanjë dhe Universitetin e Teknologjisë së Compiègne, Francë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës”, theksoi ministrja.

Ajo informoi se në takim u dakordësua të përgatitet së shpejti plani i përbashkët për të mundësuar hapjen e një filiali të Universitetit të Teknologjisë së Compiègne, në Tiranë duke mundësuar zgjerimin dhe alternimin e ofertës akademike, jo vetëm për studentët shqiptarë, por për studentët e huaj.

SHKARKO APP