Bashkëshortja e Havzi Nelës thirrje Ramës nga protesta: Jepe dorëheqjen, Shqipërisë i duhet një drejtim i ri
Në 38-vjetorin e ekzekutimit të poetit disident Havzi Nela, bashkëshortja e tij, Lavdije Nela, iu drejtua qytetarëve dhe protestuesve para Kryeministrisë me një mesazh të fortë kundër qeverisë së Edi Ramës. Lavdije Nela, ish-e burgosur politike, kujtoi vuajtjet e saj dhe të bashkëshortit gjatë regjimit komunist. Ajo tha se u dënua me 10 vite burg, ndërsa Havzi Nela vuajti në kampet e Spaçit dhe të Kukësit, deri në ekzekutimin e tij më 10 gusht 1988.
Në fjalën e saj, Nela akuzoi Ramiz Alinë dhe Kristaq Ramën se kishin firmosur për ekzekutimin e poetit dhe kërkoi që kryeministri Edi Rama të kërkojë falje për rolin e të atit në këtë ngjarje. “Kam pritur prej 35 vitesh nga Rama të kërkojë falje që babai i tij vari poetin Havzi Nela”, u shpreh ajo. Duke iu drejtuar drejtpërdrejt kryeministrit, Lavdije Nela kërkoi dorëheqjen e tij dhe një ndryshim të drejtimit politik të vendit.
“Rama, jepe dorëheqjen! Largohu dhe përballu me drejtësinë”, tha ajo nga protesta para Kryeministrisë. Nela u shpreh gjithashtu në mbështetje të të rinjve që po protestojnë, duke i cilësuar ata si vazhdues të kauzës për të cilën, sipas saj, luftoi Havzi Nela. Ajo e mbylli fjalimin me një apel për një Shqipëri të re dhe me kritika të ashpra ndaj qeverisë, të cilën e akuzoi për lidhje me krimin dhe drogën. “Ju rinia ndërtoni Shqipërinë e re, atë për të cilën luftoi Havzi Nela dhe për të cilën shqiptarët bënë qindra vite burg”, deklaroi Lavdije Nela.
KOHA JONË SONDAZH

