BE humbet durimin me Ramën. Soreca paralajmëron: Po mbajmë shënim. Kujdes me ligjin e mediave

Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca ka bërë një paralajmërim të fortë ndaj qeverisë “Rama” dhe PS-së për ligjin e mediave. Në një reagim në Twitter, Soreca u kërkon socialistëve të ndjekin rekomandimet e Venecias për miratimin e këtij ligji. Ai deklaroi se BE po e ndjek nga afër miratimin e projektit në Kuvend për t’u siguruar që ndryshimet do të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe Europiane.

“Ne do të vijojmë të ndjekim shumë afër zhvillimet në lidhje me këtë ligj të rëndësishëm, në mënyrë që paketa të sillet në përputhje me të gjitha standardet e rëndësishme ndërkombëtare dhe Europiane”,- deklaroi Soreca.

Bashkimi Europian i ka vendosur kusht qeverisë shqiptare që të respektojë opinionet e Komisionit të Venecias si pjesë e detyrimeve për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. “Çdo amendim në draftin e ligjit antishpifje duhet të jetë në përputhje me rekomandimet e bëra nga Komisioni i Venecias mbi këtë çështje. Ne nxisim autoritetet e Shqipërisë të ndërmarrin konsultimet e nevojshme me organizatat e medias dhe shoqërinë civile dhe të marrin parasysh opinionet e shprehura nga organizatat kombëtare dhe ndërkombëtare të medias”,- shtoi më tej Soreca.

Opinioni i Komisionit të Venecias vërejti se krijimi i një institucioni administrativ për të mbikëqyrur median online, siç dëshiron kryeministri Edi Rama, në kushtet kur vendi nuk ka një traditë institucionesh të pavarura, do të sjellë rrezikun e keqpërdorimit të këtij institucioni si mjet presioni ndaj gazetarëve. Komisioni vërejti gjithashtu që mënyra e formulimit të ligjit nga socialistët, mund t’i hapë rrugën përdorimit të këtij ligji nga oligarkët për t’i mbyllur gojën medias për çështje të interesit publik. Venecia i këshilloi Shqipërisë që fillimisht të trajtojë problemin e pavarësisë politike të Autoritetit të Medias Audiovizive dhe ndërkohë, të nxisë vetërregullimin e medias si mjet për të luftuar shpifjet apo gjuhën e urrejtjes online.

Lexoni edhe…

SHKARKO APP