BE-OSBE, na lejoni të zhvillohemi!
Nga Zef Bushati/Paradoks. Shqipëria për BE-OSBE është një vend në zhvillim! Shqiptarët janë një popull në zhvillim! Domethënë ne jemi të pazhvilluar, jemi një popull në zhvillim e sipër? Ne, sipas BE-OSBE, por edhe sipas nesh, jemi një popull që kemi dalë nga një sistem komunist diktatorial më i egri në vendet e Europës Lindore dhe se, ai sistem komunist ultra diktatorial, na ka lënë të pazhvilluar për 50 vite rresht. Ne, sipas nesh, jemi një popull që e kërkuam vetë ndryshimin e sistemit nga komunist në demokratik dhe kemi 26 vite që përsëri, ne nuk po zhvillohemi dot edhe me ndihmën e SHBA-ve, BE-së, OSBE-së, Gjermanisë, Francës, Italisë, etj.
Shqipëria është një vend në zhvillim, por që nuk e ka arritur plotësisht zhvillimin!! Për këtë arsye OSBE-ja ka rënë dakord që: meqenëse Shqipëria është një vend në zhvillim, të aplikojë një Kod Zgjedhor me antidemokratikun që ka Europa. OSBE-ja, ja ka besuar dy partive menaxhimin, organizimin e procesit zgjedhor dhe numërimin e votave përsëri vetëm dy partive PS-së dhe PD-së, e para si vazhduese drejt për së drejti e Partisë Komuniste (PPSH) dhe e dyta si e para parti opozitare antikomuniste në Shqipëri që u themelua në dhjetor të vitit 1990. Edhe pse në vitin 1991 u themeluan edhe disa parti të tjera, OSBE-ja nuk kishte besim se edhe ato mund ta çonin vendin drejt zhvillimit dhe të realizonin ndryshimin e sistemit nëpërmjet një tranzicioni. OSBE/ODIHR besoi dhe vazhdon të besojë se këtë shtet dhe këtë popull mund ta udhëheqë në rrugën e tranzicionit dhe të zhvillimit vetëm PS-ja dhe PD-ja.
Prandaj OSBE ndjek me vëmendje çdo fushatë zgjedhore, çdo proces zgjedhor, çdo zgjedhje, se si po ecën realizimi i eksperimentit të saj nëpërmjet një Kodi Zgjedhor, Ligji Zgjedhor, të miratuar në Parlament nga PS-ja dhe PD-ja, të realizuar nga po këto dy parti në çdo zgjedhje, e të ngarkuar me këtë detyrë prej rekomandimeve të saj. Edhe pse mbas çdo zgjedhje OSBE/ODHIR ka dhënë nga 32 rekomandime e më shumë për procesin zgjedhor, për defektet, për incidentet, për abuzimet, për, për, për,..përsëri nuk heq dorë nga eksperimenti edhe mbas 26 viteve. Edhe pse ky model Kodi Zgjedhor nuk ekziston në asnjë shtet europian, OSBE e bën këtë sakrificë për të ndihmuar popullin shqiptar që është i pazhvilluar, e bën për të ndihmuar shtetin Shqiptar si një vend në zhvillim e sipër. Ky paradoks vazhdon të ndodh edhe mbas 26 viteve demokraci në Shqipëri !!. Po mirë atëherë kur qenkemi vend në zhvillim pse na anëtarësuat në NATO ? Kur qenkemi vend në zhvillim pse kërkoni të na anëtarësoni në BE ?
More zotërinj pse nuk na lini të vetëzhvillohemi? Pse na pengoni e na frenoni me eksperimente në rrugën tonë drejt zhvillimit? A mos ju shqetëson fakti që keni të bëni me një popull me karakteristika të veçanta, me një popull të zgjuar që mund të zhvillohet më shpejt se ç’e mendoni? A mos ju habit fakti që një fëmijë shqiptar 7-8 vjeçar trondit Presidentin Amerikan Obama, OKB-në dhe gjithë botën me një letër të thjeshtë të shkruar prej tij? Populli im në historinë e tij, që nga lashtësia, ka shumë shembuj që mund t’ju bindin se di të qëndrojë e të zhvillohet. Nga populli im kanë dalë Perandorë, Papë, Filozofë, Shenjtë, Heronj, Shkrimtarë e Artistë. Mos u habitni. Prandaj na lejoni të zhvillohemi. Na lejoni të kemi një Kod Zgjedhor si gjithë Europa.
Na jepni të drejtën që çdo parti që dëshiron të garojë në zgjedhje të hyjë në garë pa kushte, të futet në një garë e barabartë në mes të barabartëve, të mos detyrohet nga Kodi eksperimental që mbart parimin e lavjerrësit të pushtetit, të jetë në koalicion ose me PS-në ose me PD-në, që votat e tyre të mos i numërojë PS dhe PD, që votat e tyre të mos vidhen, që votat të mos shiten e blihen. Zotërinj të BE-OSBE, a e kuptoni që edhe ju mbartni një pjesë të fajit për atë çfarë ka ndodhur e çfarë po ndodh ende sot në Shqipëri duke na trajtuar si një popull në zhvillim e sipër? A nuk e kuptoni se jeni plotësisht fajtorë që keni eksperimentuar një Kod Zgjedhor lavjerrës në Shqipëri prej të cilit janë prodhuar deputetë me përmbajtje dhe akuza kriminale, ministra të akuzuar për korrupsion, gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, korrupsion masiv, papunësi, kriminalitet, kanabis, drogë, prostitucion, pa fund. Z
otërinj të BE-OSBE reflektoni dhe vendosni të merreni seriozisht me Reformën e Reformave që është Reforma Zgjedhore. Pa këtë reformë nuk ka ndryshim, pa Reformë Zgjedhore nuk ka luftë kundër të keqes galopante që po nxit shqiptarët të largohen nga Shqipëria, që shpresa ka filluar të venitet, qe mosbesimi po i merr frymën shoqërisë shqiptare. Dhe së fundmi hiqni dorë nga bindja se Shqipëria është vend në zhvillim dhe binduni që populli shqiptar është popull Europian dhe i zhvilluar, por i keqpërdorur padrejtësisht.
KOHA JONË SONDAZH

