Begaj: 34 vjet më parë, studentët progresistë shqiptarë ndryshuan rrjedhën e historisë së Shqipërisë
Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka kujtuar sot me rastin e 8 dhjetorit, Ditës së Rinisë lëvizjen studentore të dhjetorit 1990. Ai shkruan se lëvizja e Dhjetorit ‘90 ishte ndezja e flakës së një populli në kërkim të lirisë, demokracisë dhe vlerave perëndimore.
“34 vjet më parë, studentët progresistë shqiptarë ndryshuan rrjedhën e historisë së Shqipërisë.
Lëvizja popullore që rrëzoi diktaturën dhe çoi në lindjen e pluralizmit, nisi dhe u frymëzua nga studentët.
Lëvizja e Dhjetorit ‘90 ishte ndezja e flakës së një populli në kërkim të lirisë, demokracisë dhe vlerave perëndimore.
Më 8 Dhjetor, Ditën Kombëtare të Rinisë, ne nderojmë lëvizjen e brezit të studentëve që rrëzuan diktaturën dhe festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë.
Sot, të gjithë frymëzohemi nga akti qytetar dhe politik i dhjetorit ‘90 për të bërë realitet aspiratën e shprehur në thirrjen epike: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”
Nder përjetë!”, shkruan Presidenti Begaj.