Beleri flet për miqësitë e reja në burg me socialistët e arrestuar, ka edhe një mesazh për Ramën
Eurodeputeti i Greqisë, Fredi Beleri tregon një pjesë të panjohur të 16 muajve që kaloi në burg. Ai thotë se ka qenë një kohë që i ka shërbyer për të zënë miqësi të reja, edhe pse miqtë e rinj i kishte në parim kundërshtarë politikë, ish-bashkëpunëtorë të Edi Ramës.
”Në sektorin ku isha, edhe në Durrës, edhe në Fier, ndodheshin të ndaluar, subjekte të SPAK, persona politikë dbe publikë, që, në fillim u është bërë gjyqi në media dhe në publik, pastaj del SPAK dhe e certifikon gjykata. Kam qenë në burg me zotin Lefter Koka, Safet Gjici, Alqi Bllako, drejtorët e bashksië Tiranë, kryebashkiakun e Bulqizës, të Fushë Arrëzit. Nuk njihja askënd nga këta më parë, por u miqësuam, pasi ndanim të njëjtin ambient. Kam një falenderim për të gjithë, pasi më kanë respektuar dhe më kanë pritur në mënyrën më të mirë”,-tha Fredi Beleri në një intervistë për emisionin ”Pa Censurë” në RTSH.
Ai u tregua i hapur, kur u pyet nëse ka një falenderim për Ramën për zgjedhjen e tij si eurodeputet. ”Po të mos ishte Edi Rama, nuk do të isha bërë kurrë deputet në Parlamentin Europian. Po të mos kishte urdhëruar arrestimin tim, po të mos kishte urdhëruar drejtësinë të shkelë ligjin me të dyja këmbët, unë do te isha një kryetar bashkie me probleme shumë të mëdha. Unë s’kisha shkopin magjik, do të konsumohesha për dy vjet dhe gjysmën e atyre që më duartrokasin sot, do të ishin të pakënaqur”,-tha Beleri.