Ben Blushi nuk do jetë kandidat për Tiranën. Por kundërsulmon Artan Shkembi i Pogradecit

Dorëheqja e djeshme e kryebashkiakut të Pogradecit nuk është pritur mirë as nga përfaqësues të lartë të Partisë Socialiste. Ndërsa në media ky akt është komentuar gjerësisht si një pazar politik me LSI-në në funksion të zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, deputeti socialist Ben Blushi e ka cilësuar dorëheqjen si një “braktisje e detyrës”. Lidhur me përfoljen e tij si një kandidat për Bashkinë e Tiranës, Blushi e ka mohuar. Nga ana tjetër, ai ka kërkuar prej kryeministrit Rama që të konsultohet me grupin parlamentar të PS-së për emrat e kandidatëve me të cilët do të përfaqësohen në zgjedhjet e 21 qershorit.

“Nuk jam në garë për Tiranën. Mendoj se Rama duhet të konsultohet me grupin e PS për kandidatët ” tha Blushi.

Një javë më parë u raportua në media për një darkë mes Ramës dhe Blushit në shtëpinë e deputetit Dashamir Peza. Pikërisht në këtë darkë, u raportua që Rama t’i ketë propozuar Ben Blushit për të qenë kandidat për Bashkinë Tiranë. Ndërkohë sot, vetë Blushi i ka dhënë fund këtyre raportimeve kontradiktore. Nga ana tjetër, Rama dhe Meta kanë nisur konsultimet për kandidatët e 61 bashkive të vendit. Flitet që në 25-30% të bashkive, e majta do të përfaqësohet me kandidatë nga radhët e LSI-së. Dhe me sa duket, me këtë lidhet edhe dorëheqja e Artan Shkëmbit, pasi Bashkia Pogradec do t’i lihet kandidatit të LSI-së.

 

Kundërsulmon Kryebashkiaku i dorëhequr i Pogradecit

Artan Shkëmbi sulmon Blushin: S'pranoj leksione nga ty, që paguhesh si deputet dhe jeton si shkrimtar

Pak pas deklaratës së Ben Blushit se dorëheqja e kryebashkiakut të Pogradecit është “braktisje detyres”, vjen reagimi i Artan Shkëmbit. Në reagimin e tij, Shkëmbi sulmon Blushin, duke thënë ndër të tjera se ai paguhet si deputet, por jeton si shkrimtar. Ja reagimi i tij i plotë:

“Kam ndjekur deklaraten e z. Blushi ne mbledhjen e grupit parlamentar te PS.Ne te vertete nuk jam i befasuar, por megjithate atakimi personal me ben t’i pergjigjem po drejtperdrejt.Nuk besoj se me doreheqjen time kam fyer bashkeqytetare e mi, gje qe ne fakt me rezulton e kunderta ketu ne Pogradec mes tyre. Doreheqja ime eshte nje akt krejtesisht personal dhe jam i pergjegjshem mjaftueshem per vendimin qe kam mare.

Ndjehem mire per pergezimet qe kam marre, sikurse mirekuptoj edhe ndonje “shqetesim” qe kam shkaktuar, por kursesi nuk do te pranoja leksione nga nje njeri qe paguhet si deputet dhe jeton si shkrimtar, qe per te pakten 8 vite me radhe, ne vend te punes se deputetit, ben analistin dhe kritikun, duke bashkuar zerin me te deshperuarit dhe gjithnje -te pakenaqurit.Qytetaret e Pogradecit nuk kane nevoje t’ju qaje hallin z Blushi, sepse nuk e ka bere kurre kete gje as kur ishte deputet i qarkut te tyre, dhe as nuk ja kane kerkuar kete ndonjehere.

Permendja per here te pare ne jeten e tij te qytetareve pogradecare dhe qarja e “hallit te tyre” sben asgje tjeter pervecse e turperon ate vete”,- përfundon reagimi i Shkëmbit.

SHKARKO APP