Berisha në Kuçovë: Në 100 ditët e para garantojmë minimumin jetik dhe pensionin minimal 200 euro
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim në Kuçovë, ku para qytetarëve prezantoi angazhimet e tij për të ardhmen e Shqipërisë.
Ai theksoi se 11 maji do të shënojë një fillim të ri për të rinjtë dhe të rejat që dëshirojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vend. Berisha premtoi se qeveria e PD do të ndërmarrë masa për të mbështetur qytetarët dhe për të rikthyer të rinjtë që kanë emigruar.
Ai garantoi minimumin jetik dhe pensionin minimal prej 200 euro për 100 ditët e para të qeverisjes dhe njoftoi mbështetje financiare për çiftet e reja, duke ofruar 30 mijë euro për të mbuluar interesat e kredive dhe një mbështetje të veçantë për ata që kanë fëmijën e tretë.
“11 Maji shënon fillimin e ri për çdo djalë e vajzë, që dëshiron të ndërtojë të ardhmen e tij në Shqipëri. Qeveria do përcaktojë grante për çdo kredi, që çdo çift i ri të ketë një çati. 30 mijë euro për të mbuluar të gjitha interesat dhe për fëmijën e tretë, qeveria do paguajë këtë 30 mijë eurosh. Të kthejmë nga emigracioni të rinjtë dhe të rejat që ikën.
Të kthejmë kombin në moshën e rinisë së tij. Vetëm kështu kombi shqiptar është komb që begatohet gjithmonë e më shumë. 100 ditët e para garantojmë minimumin jetik dhe pensionin minimal 200 euro. Në këte vend, rroga mesatare do jetë 1200 euro dhe paga minimale do të jetë 500 euro”, tha Berisha.

