
Kreu i PD-së, Sali Berisha thotë se vijon ta konsiderojë veten të aftë për të udhëhequr opozitën dhe për të sjellë ndryshimin në vend, pavarësisht se prej 36 vitesh është pjesë e skenës politike shqiptare. I ftuar në ”TvKlan”, kreu i PD-së nënvizoi edhe se nuk e sheh moshën si një pengesë për të vijuar angazhimin e tij politik, duke nënvizuar se do të tërhiqet në momentin që do të konstatojë se vitet po e kufizojnë në ushtrimin e detyrës.
“Që në momentin e parë që Sali Berisha konstaton se ka një problem pamundësie minimale për shkak të viteve, nuk ka asnjë mëdyshje në vendimin e tij për të thënë ‘mirupafshim’”, deklaroi kreu i PD-së. Ai theksoi se aktualisht është më i përgatitur në drejtimin e forcës politike që drejton, krahasuar me kohën kur nisi karrierën si politikan, pas profesionit të kardiologut.
“Sot pas kaq shumë vitesh, në krye të PD-së, jam të paktën 100 herë më i aftë në drejtimin e saj, në vlerësimin e zhvillimeve të situatave sesa kur isha kardiolog dhe pastaj politikan fillestar në pak ditë apo pak javë”, u shpreh Berisha.
Duke komentuar betejën e tij politike, kreu i demokratëve e cilësoi përballjen me atë që e quan “narko-shtet” si sfidën më të madhe, duke e përshkruar atë si formën më të rëndë të diktaturës. Sipas Berishës, përvoja e akumuluar ndër vite mbetet një aset që duhet vënë në funksion të kësaj beteje politike.
