Berisha pas 11 muajsh në Kuvend: E shoh çehren që ju ka rënë!

Pas 11 muajsh në  arrest në shtëpi, kryetari i PD Sali Berisha foli sot në seancën plenare në Kuvend.
Berisha u shpreh se 11 muaj më parë, në dhjetor të 2023, u tentua të varrosej demokracia.

Kot e keni, unë erdha, ju e dini vetë. E shoh çehren që ju ka rënë por ia bëtë vetes dhe ju qofshi. 11 muaj më parë më 21 dhjetor të 2023 Rama mendoi se realizoi ëndrrën e tij që të mos shihte më në këtë sallë Sali Berishën, ëndrrën e tij atërore që mos të shihte opozitë në këtë sallë. Atë ditë tentuan të varrosin demokracinë e pluralizmin. Votuat duke mohuar të drejtën e fjalës, sepse fjala ime tmerronte narko-diktatorin dhe shumë prej jush. Votuat në këtë mënyrë se ishte dhjetor, në dhjetor të 1946, Hoxha vendosi të eliminojë opozitën. Rama për të kujtuar nderimin e tij zgjodhi dhjetorin, për të larguar Berishën nga Kuvendi, për ta arrestuar pa asnjë provë, fakt apo dokument ”, u shpreh Berisha.

Ndërkohë, deputeti i PS-së Eduart Shalsi ka reaguar pas deklaratave të kreut të PD-së Sali Berisha në parlament.

Sali Berisha e kishte gjithë mundësinë që pas disfatës lapidar të 2013 të tërhiqej nga jeta politike dhe t’i hapte udhën dikujt nga ju që në fakt e bëri me Lulin, por siç e bëri ashtu dhe e zhbëri. Unë e di se ç’mendon për Sali Berishën pjesa më e madhe prej jush. Shikoni historikun politik, jeni vetëm deja vu. E humbe shansin Sali. E kuptoj dhe marazin dhe pikëllimin dhe sikletin e madh në moshën tënde kur ballafaqohesh me të vërteta që nuk i mendoje. Jeni mjaftueshmërisht të zgjuar për ta kuptuar që koha e Saliut ka perënduar njëherë e mirë. E kishte Saliu në dorë dhe minimumin jetik, kishte në dorë dhe të përndjekurit dhe pronarët.
Vazhdon mban peng një grup parlamentar dhe një popull opozitar që ka një nevojë ulëritëse për t’u përfaqësuar. Nuk je më as përfaqësues i tyre dhe i dënuar të vuash largimin nga politika në një mënyrë aspak dinjitoze. Mbetesh një rudiment politik”, deklaroi Shalsi.

Më tej, maxhoranca ka rrëzuar dy amendamentet e propozuara nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për vendosjen e minimumit jetik në projektbuxhetin e vitit 2025.

Pas hedhjes në votim, amendamentet u rrëzuan nga mazhoranca me 72 vota kundër dhe me vetëm 36 vota pro.

SHKARKO APP