Kreu i PD-së, Sali Berisha thotë se do të largohet nga drejtimi i partisë në momentin që do të konstatojë se mosha i krijon pamundësi për të vijuar, duke nënvizuar se deri atëherë synon të vërë në shërbim të betejës politike përvojën e tij shumëvjeçare.
“Që në momentin e parë që Sali Berisha konstaton se ka një problem pamundësie minimale (shëndetsore) për shkak të viteve, nuk ka asnjë mëdyshje në vendimin e tij për të thënë ‘mirupafshim’”, deklaroi ai.
Pra lideri demokrat në raport me mundësinë fizike personale, do të vendosë se kur do ta lërë përfundimisht politikën.
I ftuar në ”Tv Klan”, i pyetur për rolin e opozitës në këtë situatë dhe nëse ajo mban ndonjë përgjegjësi, Berisha theksoi se kryeministri Edi Rama nuk është i gatshëm të largohet nga pushteti përmes një procesi normal politik.
”Nëse kryeministri vendos të mos e dorëzojë pushtetin, bëj ç’të duash, nuk ja merr dot! Ka dy rrugë, si Çaushesku ose padroni në Beograd. Tani i iku koha atij! Nuk ke parë në Shqipëri, djem dhe vajza që kanë dalë në protestë”,-tha Berisha.
Ndërsa për rezultatin e fundit të brendshëm të partisë dhe mbështetjen që gëzon, Berisha pretendoi se një pjesë e konsiderueshme e anëtarësisë nuk pranon të përfshihet në garën politike, pasi, sipas tij, procesi zgjedhor nuk ofron kushte të barabarta.
