Bojkoti i avokatëve paralizon gjykatat – Haxhia: Reforma në drejtësi ka nevojë për rishikim tërësor

Edhe pse avokati Ulian Bajrami është liruar, sistemi gjyqësor në vend vazhdon të jetë në kolaps, pasi bojkoti i avokatëve do të vijojë për të paktën pesë ditë.

Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia, konfirmoi se pezullimi i seancave është një reagim i domosdoshëm ndaj asaj që ai e cilësoi “shkelje të rëndë të dinjitetit dhe të drejtave të mbrojtësve ligjorë”.

“Ky është një reagim institucional dhe i arsyeshëm. Nëse situata e tillë përsëritet, bojkoti do të zgjasë me muaj. Reforma në drejtësi ka nevojë për një rishikim tërësor, që të garantojë barazinë e palëve dhe respektin ndaj profesionit të avokatit,” – deklaroi Haxhia në një prononcim për mediat.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te rasti i Bajramit, por në marrëdhënien e tensionuar mes avokatëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve në disa gjykata të vendit, ku shpesh, siç u shpreh ai, “avokatia trajtohet me përbuzje”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ngjarja që ndezi bojkotin

Bojkoti nisi pas arrestimit të avokatit Ulian Bajrami, pas një përplasjeje verbale me prokurorin Gjergji Ceka gjatë një seance në Gjykatën e Elbasanit për caktimin e masës së sigurisë ndaj një të pandehuri.

Pavarësisht lirimit të menjëhershëm të avokatit, Dhoma Kombëtare e Avokatisë vendosi pezullimin e të gjitha seancave gjyqësore për pesë ditë, në shenjë proteste ndaj asaj që e konsideron ndërhyrje dhe trajtim arbitrar ndaj mbrojtësve ligjorë.

Nga Elbasani, kreu i Dhomës së Avokatisë lokale, Demir Çiftja, deklaroi se “përbuzja ndaj avokatëve është bërë rutinë nga prokurorët dhe gjyqtarët e këtij qyteti”, duke shtuar se ngjarja e fundit “ishte vetëm pika që derdhi gotën”.

Reagimi i institucioneve: ILD dhe Prokuroria në hetim

Vetëm këtë të martë, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD) njoftoi se ka dërguar inspektor në Elbasan për të dokumentuar incidentin.

Në të njëjtën ditë, Prokuroria e Elbasanit shpalli moskompetencë dhe ia kaloi dosjen Prokurorisë së Tiranës, për shkak të konfliktit të interesit.

Sipas juristëve, Prokuroria e Elbasanit kishte vepruar në dy role të papajtueshme ligjërisht – si “viktimë e pretenduar” dhe njëkohësisht si “organ hetues”, duke kompromentuar paanësinë e procedurës.

Dhoma Kombëtare e Avokatisë ka paralajmëruar se nëse nuk merren masa strukturore për të garantuar integritetin e profesionit, do të intensifikojë protestat dhe bojkotin në të gjithë vendin.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?