“Bomba” politike në Maqedoni shpërthen javën e ardhshme

Lideri i opozitës maqedonase tha për BIRN se partia e tij do të fillojë javën tjetër publikimin e të ashtuquajturës ‘bombë’ politike, e cila përmban materiale shkatërrimtare për qeverinë.

Zoran Zaev, që së fundmi  u akuzua për spiunazh dhe të cilin kryeministri Nikola Gruevski tha se kishte komplotuar për një grusht shteti kundër tij, thotë se partia e tij Social Demokrate është një vendim larg prej zbulimit të materialeve komprometuese kundër qeverisë për të cilat që ka lajmëruar më herët.

Sapo presidenca e partisë të marrë një vendim të premten ‘ne do të fillojmë shpërndarjen e provave në fillim të javës tjetër. Skenari është parashikuar i tillë që të mos i shkaktohet dëm afatgjatë vendit,” tha ai.

Zaev tha se ai po përgatitej për çdo gjë, edhe për arrestin e tij gjatë përpjekjes për të publikuar materialin. Por edhe atëherë, thotë ai, nuk do të ndalet publikimi.

“Pres gjithçka, edhe mundësinë për arrestimin tim ndërsa zbuloj provat. Por ne jemi të përgatitur dhe e dimë se kush do t’i drejtohet publikut më pas. Dhe, nëse ai arrestohet gjithashtu, ne kemi dikë që do ta zëvendësojë atë e kështu me radhë. Ata nuk mund të arrestojnë të gjithë opozitën,” tha ai.

Zaev, që lajmëroi ekzistencën e këtij materiali komprometues disa muaj më parë, thotë se ai nuk e zbuloi deri më tani sepse është i gjerë dhe sepse iu deshën muaj për të fshehur burimet gjithashtu, të cilët sipas tij janë të brendshëm dhe jo të huaj sipas pretendimit të kryeministrit.

“Një nga arsyet është siguria e njerëzve që morën një hap të madh dhe vendosën të mos qëndrojnë më të heshtur rreth asaj që po ndodh në Maqedoni,” tha Zaev.

Por, ‘në fund të ditës ai që e bëri këtë duhet të ndihet fajtor dhe duhet të shqetësohet. Unë jam thjesht dërguesi këtu. Njerëzit që kishin materialet duhet t’ia kishin dorëzuar ato më herët prokurorisë, por nuk patën besim në të,” shtoi ai.

Zaev nuk ka pranuar ta zbulojë përmbajtjen ekzakte të materialit, duke thënë vetëm se burimet janë nga shërbimet sekrete maqedonase.

Në një shfaqje televizive, kryeministri Nikola Gruevski hodhi akuza të rënda ndaj Zaev. Ai tha se lideri i Social Demokratët kishin kërcënuar me publikimin e të dhënave që përfshijnë zyrtarë të lartë, nëse ai nuk binte dakord në formimin e një qeverisë së përkohshme që do të përfshinte partinë e tij.

Policia ka marrë që atëherë pasaportën e Zaevit. Ata kanë arrestuar gjithashtu tre persona të tjerë të lidhur me çështjen e koduar me emrin “Grushti”. Mes tyre shefi i policisë sekrete, Zoran Verusevski dhe gruaja e tij. Policia po kërkon për djalin e tyre. Kryeministri ka premtuar një gjyq të drejtë për të gjithë të përfshirët.

Gruevski tha se ai pati katër takime klandestine me Zaev në kabinet vitin e shkuar,  të cilat Zaev i përdori për të bërë kërcënime.

Zaev ndërkohë këmbënguli se ai nuk kishte bashkëpunuar me shërbimet e huaja dhe tha se ishte Gruevski që filloi debatin për të ashtuquajturën ‘bombë’, në ato takime. Zaev thotë se takimet sekrete kishin si qëllim të inkurajonin dialogun politik në vend.

Opozita ka refuzuar të zërë vendin e vet në parlament që nga zgjedhjet e hershme të përgjithshme dhe presidenciale të mars-prillit, duke akuzuar Gruevskin për fitore në mashtrim.

Partia ka nxjerrë pesë kërkesa që deputetët të kthehen në parlament, një prej të cilave, formimi i një qeverie të përkohshme, bllokoi bisedimet e mëtejshme.

“Nëse shihni datat e atyre bisedimeve [sekrete] do të shihni se më herët është thënë publikisht se askush nuk ka të drejtë t’i fshehi publikut të vërtetën që do të zbulohej,” tha Zaev.

Zaev shtoi se kishte refuzuar gjatë këtyre takimeve të dorëzonte provën: “I thashë në asnjë mënyrë nuk ta jap sepse do të pengonte njohjen e publikut me të”.

Në fillim të kësaj jave, dy video të shkurtra nga bisedimet u publikuan nga media proqeveritare, ku Zaev dukej të konfirmonte te kryeministri se materialet e tij vinin nga jashtë vendit.

“I thashë po, i mora nga shërbimet e jashtme. Nuk mund t’i thoja emrat e njerëzve sepse ishin punonjës në institucionet e kontrolluara prej qeverisë. Këto materiale janë të ndjeshme për sigurinë e këtyre njerëzve dhe të familjeve të tyre,” tha Zaev.

Lideri i opozitës këmbëngul se provat që ai ka kundër kryeministrit Gruevski dhe bashkëpunëtorëve të tij janë dramatike dhe aq inkriminuese saqë në një vend normal e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar problemit do të ishte dorëheqja e të gjithë qeverisë.

“Pres që çështja të zgjidhet në një mënyrë që do t’i sjellë normalizim vendit tonë,” tha ai.

Nga fjalët e liderit të opozitës të lihet përshtypja se ai është i përgatitur për përballjen gjithçka ose asgjë me Gruevskin, i cili është në pushtet në Maqedoni që nga viti 2006.

“Çfarë po ndodh tani në Maqedoni është e keqe dhe e keqja duhet të largohet. Kështu ndihen të gjithë, edhe ata që preferojnë të heshtin dhe të ruajnë kokat,” përmbylli Zaev.

 BIRN

SHKARKO APP