BOOM: Kryebashkiakja e Gramshit nuk mban premtimin, lë fshatin pa ujë
Emisioni “BOOM” trajtoi shqetësimin e banorëve të fshatit Cingar në lidhje me mungesën e ujit të pijshëm.
Sipas tyre rezulton të jetë një premtim i pambajtur ai i kryetares së Bashkisë Gramsh, Luljeta Dollani, për zgjidhjen e këtij problemi.
Përveç deklaratave të banorëve, e shkruar e zeza mbi të bardhë ky premtim është bërë nga ana e zonjës Dollani edhe në një intervistë të publikuar në median online.
Luljeta Dollani: “Për fshatrat së bashku me grupet e interesit kemi hartuar një database të plotë për gjendjen aktuale të ujit të pijshëm në to. Me një plan të detajuar në fund të mandatit të parë, referuar edhe resurseve të bollshme që ka rrethi jonë me ujë të pijshëm ta zgjidhim përfundimisht furnizimin me ujë të pijshëm për çdo banorë të kësaj bashkie të madhe.”
Ajo që tregon hapur braktisjen e fshatrave nga bashkitë e mëdha pas reformës territoriale, është deklarata e Drejtorit të Ujësjellësit Gramsh, i cili deklaron se ky fshat nuk është në listën e fshatrave që kjo ndërmarrje mbulon me shërbim.
Për të kuptuar nëse Bashkia e kishte vënë në listë zgjidhjen e këtij problemi, të paktën për 4 -vjeçarin e ardhshëm, “BOOM” pyeti edhe në Drejtorinë e Infrastrukturës, pranë Bashkisë Gramsh, ku Drejtori deklaroi se për këtë fshat nuk ka asnjë projekt për Ujësjellës.

