Bota po ndryshon me shpejtësi, ne si shqiptarë jo se jo! Mesazhet e Kristofer Hill

Nga Afrim Krasniqi
Kristofer Hill (Christopher Hill) është nga diplomatët amerikanë më të njohur dhe më me përvojë sidomos në vendet e EJL. Hill ishte zyrtari i parë amerikan rihapi ambasadën e SHBA në Tiranë, si dhe ka qenë ambasador në Maqedoninë e V. dhe më pas në Serbi, ambasador në Korenë e Jugut, në Irak dhe në Poloni, si dhe gjatë viteve 1998-1999 i dërguar special i SHBA në Kosovë. Ai ka pasur edhe pozita këshilluese pranë Presidentit të SHBA dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare, si dhe ka marrë dy çmime të larta nga DASH, një lidhur me rolin e tij në krizën në Kosovë. Për info shtesë: Hill ka pasur disa vizita në Tiranë, më 2016 nga Shqipëria mori nderimin më të lartë shtetëror, dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Me intervistat dhe vlerësimet e tij ndonjëherë mund të kesh opinion të ndryshëm, (edhe personalisht ka pasur raste të tilla), por intervista e tij e fundit, tashmë në një pozicion dhe situatë të re gjeopolitike, ka disa mesazhe që kanë vlerë e rëndësi për tu lexuar dhe kuptuar edhe në nahijen tonë.
Ja disa nga mesazhet e fundit të Hill që i vlejnë edhe elitave/turmave politike në Prishtinë e Tiranë:
1. Nuk jetojmë më në vitet 1990. Jemi në një epokë shumë ndryshe.
2. Në rrethanat aktuale do të prisja që SHBA të ketë një angazhim më të kufizuar krahasuar me të kaluarën
3. Ballkani është, padyshim, një punë e papërfunduar në Evropë, por njerëzit në Ballkan duhet të kuptojnë se në pjesë të tjera të botës, po ndodhin gjëra të tjera
4. Koha kur vendet vinin te ne ose te ndonjë shtet perëndimor evropian për t’u ankuar për fqinjët e tyre ka mbaruar dhe njerëzit janë lodhur nga kjo.
5. Kosova, ashtu si të gjitha vendet e Ballkanit, duhet vërtet të marrë përgjegjësi dhe t’i zgjidhë vetë problemet e saj.
6. BE janë duke vlerësuar se si t’i përcaktojnë anëtarët e rinj. A t’i pranojnë një nga një, apo njëherazi? Ka shumë sfida dhe, sigurisht, janë duke marrë në konsideratë edhe çështjet e përafrimit.
7. Fakti që po mundohemi t’i menaxhojmë disa nga interesat tona me Serbinë, nuk do të thotë që jemi kundër Kosovës. Ne kemi shumë interesa edhe në Kosovë. Prandaj, do të isha i kujdesshëm me idenë që fuqitë e mëdha po zgjedhin mes vendeve.
Bota po ndryshon. Ne jo dhe jo. As lexojmë, as kuptojmë, as reflektojmë, as ndryshojmë, thjesht riciklojmë periodikisht dështimet, krizat, përgjegjësit, si dhe vijojmë të mbijetojmë duke ushqyer mendjen me mite, propagandë dhe show.