Braçe: Qytetarët nuk kanë detyrim për të marrë pasaportë të re

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave Erjon Braçe deklaroi të martën se qytetarët nuk kanë detyrim për të marrë pasaportë të re.

Duke reaguar në rrjetin social “Facebook” mbi debatin për çmimin e ri të pasaportave biometrike, Braçe tha se pasaporta ekzistuese që është në afat nuk digjet. “Pasaportë me çmimin e ri merr vetëm ai të cilit pasaporta i ka skaduar nga 1 janari e në vijim”, deklaroi Braçe. Nga data 1 janar 2015, Ministria e Brendshme ka miratuar çmimet e reja të pasaportave biometrike dhe letërnjoftimeve. Çmimi i ri i letërnjoftimit do të jetë 1 500 lekë, ndërsa më herët ka qenë 1 000 lekë. Sa i takon pasaportave biometrike, çmimi i ri i tyre do të jetë 7 500 lekë nga 6 000 lekë që ka qenë vitin e shkuar.

Edhe qytetarët shqiptarët që do të aplikojnë për këto dy dokumenta jashtë vendit, do të operojnë me çmime të reja. Konkretisht, shqiptarët që jetojnë në Itali dhe Greqi do të duhet të paguajnë 12 euro për letërnjoftimin dhe 130 euro për pasaportën. Në SHBA do t’u duhet të paguajnë 18 dollarë për letërnjoftimin dhe 240 dollarë për pasaportën biometrike. Në Belgjikë, shqiptarëve që jetojnë atje do t’u kushtojnë 16 euro letërnjoftimi dhe 160 euro pasaporta biometrike. Në Mbretërinë e Bashkuar çmimi do të jetë 13 Paund letërnjoftimi dhe 144 paund pasaporta biometrike dhe në Zvicër 18 franga (zviceriane) letërnjoftimi, ndërsa pasaporta biometrike 204 franga (zviceriane).

SHKARKO APP