Breçani: Grupet kriminale në Elbasan kanë ardhur duke u fuqizuar, kjo duket nga viktimat
Ish-Zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, e ka ndjekur rastin e bujshëm të goditjes së Policisë nga bandat në Elbasan. Duke e analizuar çështjen, Breçani gjykon se operacioni i Policisë atje ishte i paplanifikuar mirë. Nga ana tjetër, grupet kriminale atje kanë ardhur duke u fuqizuar nga viti në viti dhe kjo duket nga viktimat.
Në një intervistë për Shekullin, Breçani shprehet: “I kemi ndjekur me vëmendje ngjarjet e Elbasanit aspak të dëshiruara për ne dhe komunitetin e atij qyteti që me sa shihet nuk bëjnë jetën e tyre të qetë dhe të sigurt. Ngjarja e parë sipas analizës time fillimisht pas marrjes së informacionit dhe vlerësimit të informacionit kanë filluar në kohë organizimin për ndjekjen, kontrollin dhe shoqërimin e personave ku falë pamjeve bie në sy ndalimi i automjeteve dhe shoqërimi i personave por për mendimin tim nuk ishte vendi i përshtatshëm në favor të policisë për kryerjen e veprimeve pasi aty mund të përdorën edhe armët e zjarrit.
Ky ishte një operacion i pa planifikuar mirë ku dukej qartë se nuk kanë detyra konkrete se kush është në grupin e mbështetjes në grupin e kontrollit ose i sulmit si dhe grupi që do kryejë shoqërimin e personave, që këto grupe mund të ishin nga dy punonjës policie, minimalja deri në pesë persona. Shumë e rëndësishme në një operacion që nuk u pa, është që punonjës policie të bëjnë bllokimin e mjeteve të tjera si në fillim dhe në fund të vendit ku kryejnë veprimet operacionale. Policia të paktën me një tabelë ndalim-kalimi në një distancë prej 20-30 metra ose të kthejnë makinat e policisë në bllokim rruge dhe makinat e policisë në çdo rast duhet të jenë të ndezura me shofer brenda, dhe në rastin konkret fillimisht u veprua perfekt në kontrollin dhe shoqërimin e personave të dyshuar.
Më pas vjen mjeti i blinduar, i pa penguar më parë nga mjeti i policisë dhe godet mjetin e policisë që paraqet rrezikshmëri për punonjësit e policisë. Në këtë rast forcat policore nuk kishin një plan për të papriturat që ndodhin në çdo operacion policor dhe nuk ishin të gatshëm që të kryenin ndjekjen në pamundësi bllokimi ku dalin në pah mangësitë; forcat dhe mjetet që duheshin për të kryer ndjekjen, prangosjen e personit që hapi dhe mbylli portën, mungesa e theksuar e drejtuesit të operacionit që është titullari që ka gradën më të lartë i cili duhet të marrë vendimmarrjen e përnjëhershme për riorganizimin dhe rigrupimin e forcave për të organizuar ndjekjen, kufizimin dhe kundërpërgjigjen e agresorëve.
Në këtë rast të personave në automjetin e blinduar, të rojës, si dhe personave që ndihmuan dhe përkrahën autorin e sulmit ndaj policisë. Porsa i përket pretendimeve që policia ka përdorur armën e zjarrit, për mua është përdorur sipas ligjit të përdorimit të armës së zjarrit që në një sulm me mjete të blinduara kur nuk i bindesh urdhrit të policisë për ndalim dhe futesh në një zonë ku kryhen operacione të tilla, policia qëllon me armë jo në drejtim të agresorit, po për të paralajmëruar dhe për të thënë që do të përdorë armën e zjarrit pasi informacioni ishte se bëhej fjalë për persona të armatosur!…
….Grupet kriminale në Elbasan kanë ardhur duke u strukturuar dhe fuqizuar nga viti në vit. Kjo duket qartë nga viktimat që ka prodhuar; sa më shumë viktima dhe sa më pak të arrestuar nga policia dhe të ndaluar nga prokuroria, kjo është njësia matëse e fuqizimit të një grupi. Kjo do të thotë që nëpërmjet aktiviteteve kriminale një grup ka mbledhur shumë para, ka rekrutuar më shumë persona, ka kryer mbrojtje politike, lidhje të forta me persona në Policinë e Shtetit, Prokurori dhe Gjykata; pra janë fuqizuar!

