Bushati, në takimin e 11-të të Konferencës së Komisioneve të Integrimit Evropian

 

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Ditmir Bushati, mori pjesë në takimin e 11-të të Konferencës së Komisioneve të Integrimit Evropian të shteteve pjesëmarrëse në Procesin e Stabilizim-Asociimit të vendeve të Evropës Juglindore – COSAP, që u zhvillua në Tiranë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri Bushati theksoi rolin kyç të parlamenteve në proceset komplementare të integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal. “Ndikimi i reformave që lidhen me integrimin evropian”-, nënvizoi ai, “nuk matet vetëm me numrin e ligjeve të miratuara, por edhe me cilësinë e një procesi miratimi që garanton demokraci dhe transparencë.  Këtu, rolin qendror e kanë parlamentet, nëpërmjet një analize dhe diskutimi të thelluar të masave ligjore e një konsultimi të gjerë me grupet e interesit dhe organizatat e shoqërisë civile”.  Në këtë kontekst, ai vlerësoi rolin e Komisionit të Integrimit të parlamentit shqiptar në linjëzimin e qasjeve mes palëve për çështje që lidhen me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë.

Shkëmbimi i përvojave në këtë drejtim midis parlamenteve të vendeve të rajonit, u shpreh Ministri Bushati, është një kontribut i çmuar për këtë rol qendror të parlamenteve. Ky bashkëpunim është tejet i dobishëm në kuadrin e përpjekjeve të përbashkëta për harmonizimin dhe përafrimin e legjislacionit me acquis të BE- së, si dhe në nxitjen dhe ushqimin e debatit publik me synim forcimin e bashkëpunimit politik drejt anëtarësimit në BE.

Më tej, Ministri Bushati vuri theksin mbi rëndësinë që dimensioni parlamentar do të mbartë në Konferencën e Parisit, ku vëmendja kryesore duhet të përqendrohet në projekte konkrete, sidomos në ato që lidhen me fushën e energjisë.

Duke nënvizuar rolin e spikatur e të pazëvendësueshëm të parlamenteve dhe parlamentarëve për të çuar përpara frymën e fqinjësisë së mirë dhe proceset bashkëpunuese në rajon, Ministri Bushati u shpreh se marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor duhet të karakterizohen, mbi të gjitha, nga një qasje strategjike. “Bashkëpunimi rajonal është jo vetëm kusht për paqen dhe stabilitetin, por gjithashtu një domosdoshmëri që rrjedh nga problemet e përbashkëta politike, ekonomike dhe sociale të të gjitha vendeve në rajon” theksoi ai.

SHKARKO APP