Çepani për aktin e Almës: Të mos e trajtojmë si traumë të momentit
Dhuna në familje e çoi nënën 39-vjeçare Alma Arrazin, bashkë me 3 fëmijët e saj të mitur, në vetëflijim. Shpresat për të mbijetuar u shuan përfundimisht sot, kur polumbarët gjetën dhe dy trupat e pajetë, djalin 3 vjeç dhe nënën e tij. Ngjarja e rëndë është një dramë për shoqërinë tonë dhe është diskutuar së tepërmi për dinamikat e saj dhe për arsyet e mundshme të cilat e çuan Almën deri te veprimi fatal.
Në një intervistë për Klan News, aktivistja Edlira Çepani tha se të tilla raste nuk mund t’i gjykojmë dhe t’i trajtojmë si një telenovelë, por duhet që t’i denoncojmë, pavarësisht se sipas saj në mentalitetin e shoqërisë sonë është femra ajo e cila gjykohet në çdo veprim që ndërmerr. Aktivistja bën apel për ndërgjegjësim, rastet duhet të denoncohen edhe nëse ne nuk kemi lidhje të drejtpërdrejtë me situatën, secili duhet të bëjë detyrën e tij si qytetar.
“Janë të gjitha gjërat që duhet të duhet të sqarohen para se të fillojmë të gjykojmë për ngjarjen. Ajo ç’ka dimë ne tani është një situatë e cila është vërtetuar nga dëshmi të ndryshme dhe tabulatet telefonike që zonja në fjalë, viktima, ka patur një situatë dhune në familje dhe një dhunë psikologjike e cila ka ndodhur, dhe shumë afër momentit tragjik. Ajo që është e rëndësishme të kuptojmë është që ne nuk duhet t’i diskutojmë rastet njëri pas tjetrit sikur të ishin një telenovelë, edhe me detaje të panevojshme, edhe duke i gjykuar. Sidomos në Shqipëri, fatkeqësisht, ka një tendencë shumë të gabuar për të gjykuar viktimën, kur ajo është grua dhe të gjitha këto paragjykime, të gjitha këto vajtime që ne bëjmë pas tragjedisë, nuk janë të vlefshme, nuk kanë asnjë lloj vlere për raste të cilat mund të ishin parandaluar“, thotë Çepani.
Edlira Çepani thotë se rastet mund të parandalohen nëse denoncohen pasi institucionet nuk mungojnë, por ajo që mungon është besimi i qytetarëve në to dhe mentaliteti që gjërat e familjes duhet të jenë të mbyllura brenda familjes.