Certifikata për 55 fitues të olimpiadave! Ministrja Manastirliu: Mbështesim talentet, mirënjohje për mësuesit

Në një ceremoni të veçantë, janë vlerësuar 55 nxënësit fitues të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, në përfundim të tre fazave të Olimpiadave Kombëtare për vitin 2023. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu e ka konsideruar si një moment krenarie, teksa ka vlerësuar mësuesit dhe nxënësit për punën e tyre në arritjen e rezultateve të larta.

“Kjo ceremoni vjen në këto ditë festash, pak ditë pasi, me Kryeministrin vlerësuam medalistët e artë. Ne, në Ministrinë e Arsimit jemi krenarë për ju, por edhe çdo mësues që ka kontribuar në formimin tuaj, ndihet gjithashtu krenar për arritjet tuaja, për faktin që të gjithë mundin dhe përkushtimin e tyre, ju keni arritur që t’a shpërbleni me këto rezultate dhe arritje në Olimpiadat Kombëtare”, tha Manastirliu.

Gjatë fjalës së saj, Manastirliu tha se investimet në teknologji në shkolla, do të jenë në fokus për 2024-2025. “Viti 2024 do të jetë një vit, ku ne do të vijojmë investimet për sa i përket laboratorëve smart në 216 shkolla, e më tej në 600 laboratorë smart përgjatë 2025, por nuk do të ndalemi këtu, sepse për ne edukimi digjital ka shumë rëndësi, sidomos në një kohë kur zhvillimet teknologjike ecin në një mënyrë marramendëse, ne do të vijojmë që të fokusohemi në teknologji, zhvillimin inovativ, në mënyrë që edhe aspekte që i përkasin edukimit lëndor, të mundet që të bëhen dhe të realizohen përmes mjeteve digjitale”, theksoi Manastirliu.

Gjatë ceremonisë së Olimpiadave Kombëtare, ministrja e Arsimit dhe Sport foli për orientimin drejt arsimit profesional, si një nga prioritetet e MAS për vitin 2024. “Do të fokusohemi në programin e orientimit të karrierës, duke filluar nga klasa e gjashtë dhe duke orientuar sipas prirjeve të gjithë ata nxënës të cilët duan të shkojnë drejt arsimit profesional, duke mundësuar pikërisht këtë orientim nga vetë mësuesit dhe nga zyrat arsimore vendore”, u shpreh ajo.

Në fazën e parë të Olimpiadave Kombëtare të vitit shkollor 2022-2023 kishte një interes të lartë nga ana e nxënësve dhe morën pjesë mbi 23 mijë nxënës; në fazën e dytë mbi 6 mijë nxënës dhe 1200 nxënës në fazën e tretë.

55 nxënës të gjimnazeve dhe shkollave 9-vjeçare që kaluan me suksese të tre fazat në konkursin e olimpiadave, u vlerësuan me certifikata për arritjen e rezultateve të larta, nga të cilët 7 nxënës janë fitues të vendit të parë, 9 nxënës janë fitues të vendit të dytë dhe 39 nxënës janë fitues të vendit të tretë.

Arritjet në olimpiadat kombëtare u japin nxënësve njohje dhe vlerësime, të cilat mund të hapin dyert për mundësi të ndryshme si bursa, programe verore, praktika, projekte kërkimore dhe pranim në institucione të njohura arsimore. Olimpiada Kombëtare shërben si një platformë për nxënësit, për të shfaqur aftësitë e tyre, aftësitë për zgjidhjen e problemeve, të menduarit kritik dhe krijues; aftësitë që janë kritike për suksesin e tyre në të ardhmen.

SHKARKO APP