Çështja McGonigal, Xhaferaj: Berisha po ndihmon Ramën, grupi ynë s’ka mundur të flasë

Një ditë përpara seancës ku do të mbahet mocioni me debat për çështjen McGonigal, deputeti demokrat Ferdinand Xhaferaj shprehet se nëse kryeministri do të jetë prezent, diskutimet do të jenë të frytshme.

Ai theksoi se sjellja e këtyre javëve të fundit e opozitës ka qenë thjesht pasojë e mosprezencës së kreut të qeverisë në Parlament. Po ashtu, ai nuk ngurroi që të diferenconte grupin që ai përfaqëson në PD nga grupimi i Berishës. Ky i fundit, sipas Xhaferajt, më “zhurmën që po bën” thjesht sa po i vjen në ndihmë kryeministrit Edi Rama për ta larguar vëmendjen nga përmasat e vërteta të skandalit.

“Sjellja e opozitës është pasojë, shkaku ka qenë mosprezenca e kryeministrit në Kuvend. Nëse Rama vjen nesër dhe do të plotësojë detyrimin Kushtetues, do të jetë një seancë shumë informuese për publikun. Për të hedhur dritë mbi këtë skandal që sapo ka filluar, jemi akoma në fazën e mbledhjes së provave dhe këtë kryeministri e di”,-tha në ”A2cnn”.

I pyetur se përse mendon se kreu i demokratëve po i vjen në ndihmë Ramës në këtë çështje, Xhaferaj thotë se duke ndjekur agjendën e tij politike, Berisha po largon elektoratin gri nga PD-ja, por edhe po pengon deputetët e tjerë demokratë që të shprehen për këtë çështje.

”Opozita ndodhet në një situatë ku nga njëra anë kemi zotin Berisha që bën një zhurmë të stërmadhe, pozitive për të mbajtur gjallë militantët por është edhe një zhurmë që i gërvisht veshin elektoratit gri që është i domosdoshëm për zgjedhjet. Dhe në anën tjetër jemi ne PD-ja zyrtare që nuk jemi dëgjuar sa duhet. Faji i joni që nuk jemi dëgjuar sa duhet. Një grupim me politikanë të përgatitur që nuk janë ngritur dot në nivelin që duan qytetarët dhe kemi grupin e Berishës që krijon bezdi”,-tha më tej deputeti.

SHKARKO APP