
Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka folur në Komisionin e Ekonomisë për paketën fiskale, duke u ndalur te efektet që pritet të kenë ulja e TVSH-së për ushqimet dhe heqja e taksës së qarkullimit në çmimet për konsumatorët.
Malaj u shpreh se qeveria po shqyrton mekanizma monitorimi për të garantuar që këto ndryshime fiskale të reflektohen në çmimet përfundimtare. Ai tha se po shqyrtohet edhe mundësia që Bordi i Transparencës të bëhet i përhershëm.
“Për uljen e TVSH-së, qeveria po punon për mekanizma të caktuar monitorimi. Ka disa mekanizma për monitorimin e tregjeve oligopolistike, siç është ai i hidrokarbureve, që do të shërbejnë për të monitoruar reflektimin e uljes së taksës së qarkullimit. Po shqyrtojmë mundësinë e krijimit të një Bordi të Përhershëm të Transparencës. Gjithashtu, po shohim mundësinë e përdorimit të teknologjisë së informacionit, si Price Watch, për të ndjekur rrugëtimin e çmimit nga importi deri te konsumatori final”, u shpreh ministri.
Gjatë fjalës së tij, Malaj bëri të ditur edhe disa nga treguesit financiarë për vitin 2026. Sipas tij, të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë 8.7% më të larta se parashikimi, ndërsa kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore arrijnë në 210.3 miliardë lekë.
Ministri renditi ndër faktorët që kanë ndikuar në ecurinë e të ardhurave rritjen ekonomike, efektet e indeksimit dhe zbatimin e masave fiskale, si dhe implementimin e strategjisë afatmesme.
Ai theksoi se për vitin 2026 ndikimin kryesor e ka pasur rritja ekonomike, ndërsa efektet e kursit të këmbimit kanë qenë më të kufizuara.
