Covid-19 po “tremb” denoncimin e dhunës në familje
Këtë 18 mars rezulton të ketë kërkuar ndihmën e policisë për t’u mbrojtur nga dhuna e të afërmve vetëm një grua. Por edhe kjo kërkesë nuk lidhet aspak me rritjen e stresit nga karantinimi. “E moshuara, e cila jeton në qytetin e Vlorës njoftoi në numrin pa pagesë, pasi u kërcënua nga nipi i saj”, tha një burim policor për Gazetën “Si”.
Ekspertët pavarësisht shifrave të ulëta, nuk mendojnë aspak se ka rënë dhuna në familje. “Dyshojmë se gratë apo femrat në situatën e qëndrimit në shtëpi të partnerëve apo familjarëve kanë frikë dyfish për të kërkuar ndihmë dhe ky është një fenomen i ri, ndaj dhe do ishte më e arsyeshme që në këto raste të kishim bashkëpunimin edhe të fqinjve”, tha një ekspert policie, i cili në kushtet e anonimitetit është i bindur te frika e grave në kushtet e karantinimit për shkak të Covid-19.
Në datën 17 mars rezulton të kenë kërkuar ndihmën e policisë në rang vendi katër gra në qytetet Kamëz, Gjirokastër, Dibër dhe Kavajë. Kërkesat për urdhër mbrojtjeje pritet të shqyrtohen nga gjykatat përkatëse, ndonëse siç thonë burime të Gazetës “Si” nuk dihet ende se si do veprohet, pasi bashkëshortët janë nën të njëjtën çati dhe të katër rastet pretendojnë dhunë psikologjike kështu që për këtë shkak nuk është kryer arrestimi i tyre.
Një gjyqtar deklaroi se gjendet në dilemë pasi urdhër-mbrojtjeje do të thotë distancim deri në 500 metra të “viktimës” nga agresori, por ndërkohë ata jetojnë nën të njëjtën çati dhe në kushte karantinimi. Gazeta “Si” u interesua për statistikat e grave që pretendojnë dhunë dhe disponon statistikat që rezulton se nga data 10 deri në 18 mars kanë kërkuar urdhër-mbrojtjeje 41 gra, ndërkohë që në 19 raste është proceduar me arrestim sipas nenit 130 a.