Çuçi shigjetoi për lirimin e Begajt dhe të kriminelëve, Gjykata e Vlorës: Jemi të hapur për çdo verifikim
Sot ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, shigjetoi drejtësinë në lidhje me të liruarit, duke sjellë në vëmendje edhe rastin e Edison Begajt, të cilit i’u bë atentat në Vlorë. Nuk ka vonuar as reagimi i Gjykatës së Vlorës, ku në një deklaratë të shpërndarë për mediat, shprehet se deklarata të tilla nuk i shërbejnë imazhit të gjykatës si institucion për dhënien e drejtësisë dhe aq më tepër pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve. Gjykata thekson se është e hapur për çdo verifikim.
Njoftimi i plotë
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, pasi është njohur nëpërmjet medias me deklaratën publike dhënë nga Ministri i Brendshëm, Z. Bledi Çuçi, i cili gjatë fjalimit të tij, ka përmendur vendimmarrjen e gjyqtarit Albert Spiro, në lidhje me shqyrtimin e çështjes penale, të paraqitur nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për procedimin penal nr. 839/2021, në ngarkim të shtetasit E. B, ju informojmë se: Më datë 16.06.2021, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë është regjistruar çështja me nr. 159 regj., datë 16.06.2021, me objekt: Vleftësim arresti, caktim mase sigurimi në ngarkim të shtetasit E.B. , akuzuar për veprën penale parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.
Sipas listës së gatishmërisë së gjyqtarëve, rezulton se gjyqtar i gatshëm më datë 16.06.2021, ka qenë gjyqtari Albert Spiro, të cilit i ka kaluar për shqyrtim kjo kërkesë penale. Në seancën gjyqësore të datës 18.06.2021, është marrë në shqyrtim kjo kërkesë penale, dhe nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë është kërkuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Në përfundim, gjykata ka vendosur sipas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria. Sqarojmë se deklarata të tilla, nuk i shërbejnë imazhit të gjykatës si institucion për dhënien e drejtësisë dhe aq më tepër pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve. Jemi të hapur për verifikime nga ana e çdo institucioni të ngarkuar me ligj.