Çupi: Do padisim anëtarët e KQZ! Rama kontrollon parlamentin, i trembet koalicioneve

Ish-deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi ka deklaruar në një intervistë për ABC Neës se partia e saj do i drejtohet prokurorisë me një padi për anëtarët e KQZ që votuan për qëndrimin në detyrë të kryebashkiakut të Matit Agron Malaj.

“Do i drejtohemi prokurorisë me një padi për ata që votuan që të mos i heqet mandati kryebashkiakut të Matit.

Për të ka vendim të formës së prerë, ka konsumuar veprën penale të armëmbajtjes pa leje dhe në 30 qershor të vitit të kaluar nuk duhej të lejohej të kandidonte. Por ky është një standard i Edi Ramës për të mbajtur pushtetin”, tha Çupi.

Çupi deklaroi se amendamentet e paraqitura në Kuvend nga opozita jashtëparlamentare për të ndaluar koalicionet, janë nismë e kryeministrit Edi Rama, që sipas tij i trembet opozitës së bashkuar.

“Kryeministri që kontrollon parlamentin kërkon të ndryshojë ligjin për të ndaluar opozitës për të kandiduar si një opozitë e përbashkët.  Ka një marrëveshje të firmosur të Këshillit Politik në prani të të ambasadorëve. I qëndrojnë asaj marrëveshje.

Çdo manovër më tej e përdorur nga Rama është formë qesharake e kryeministrit për të mos u larguar nga pushteti. Partitë e vogla kërkojnë që të mos ketë koalicione zgjedhore, gjë e cila është në të keqen e tyre. Ata nuk e dinë çfarë kanë firmosur, por i është servirur nga Rama. Parlamentin e kontrollon Edi Rama”, tha Çupi.

SHKARKO APP