De Biasi: Në Francë, pa barrë psikologjike

 

Gianni De Biasi vazhdon të jetë ndër më të kërkuarit në shtypin italian, pas kualifikimit me Shqipërinë në Euro 2016. Edhe pse kanë kaluar ditë tashmë, trajneri thotë se ende po e shijon suksesin dhe ndjesia për këtë arritje është e pandryshueshme. Italiani shpjegon se ka qenë një rrugë e gjatë, e nisur para kualifikueseve të fundit.

“Mendoj se arritjen më të rëndësishme e realizuam gjatë edicionit të kaluar, kur fituam me Norvegjinë në Oslo. Ata ishin në vendin e 29-të në FIFA, ndërsa ne të 78-ët. Fituam 1-0 jashtë fushe. Aty skuadra mori besim te aftësitë e saj, pasi më parë nuk kishte ndodhur të fitonte përballë një skuadre që ndodhej kaq lart në renditje dhe mbi të gjitha në transfertë”, ka pohuar ai.

Megjithë fitoren në Portugali apo tri pikët e marra në tavolinë ndaj serbëve, De Biasi vlerëson se “pika e kthesës” për Shqipërinë ishte në ndeshjen e 4 shtatorit në Danimarkë.

“Barazimi në Danimarkë ishte rezultati më i rëndësishëm. Pikërisht ata ishin rivalët tanë direkt. U larguam pa humbje nga fusha e tyre, duke barazuar 0-0. Tjetër faktor i rëndësishëm, ishte karakteri që tregoi skuadra deri në fund. Megjithë dy humbjet në shtëpi dhe në minutat e fundit kundër Portugalisë dhe Serbisë. Dy ndeshje të “çmendura”, të cilat do të sfilitnin edhe një kalë. Por, ne gjetëm forcat për të rimbushur bateritë dhe pas katër ditëve fituam në Armeni”, shton ai.

Tani vijnë finalet dhe Shqipëria shkon pa pasur barrën e rezultateve me çdo kusht.

“Në kualifikuese ishim në një prej grupeve më të vështirë. Portugalia, Serbia dhe Danimarka janë skuadra të nivelit shumë të lart. Shqipëria arriti të kualifikohej si vendi i dytë në grup. Besoj se në Francë do të shkojmë pa peshën e përgjegjësive të mëdha, por të vetëdijshëm se asgjë nuk ka përfunduar. Duhet të vazhdojmë të punojmë dhe të shpresojmë se gjatë këtyre tetë muajve që na ndajnë nga Euro 2016 do të kemi pak dëmtime dhe që futbollistët të luajnë me vazhdimësi në klubet e tyre”, thrkson De Biasi.

SHKARKO APP