Debati për Reformën Territoriale, kryebashkiaku i Patosit kundërshton
Kryetari i Bashkisë Patos, Fation Duro, ka dalë kundër propozimit për bashkimin e Patosit me Bashkinë Fier në kuadër të Reformës së re Territoriale, duke argumentuar se një vendim i tillë nuk mbështetet nga të dhënat zyrtare të Komisionit përgjegjës.
Sipas tij, raporti përfundimtar nuk e klasifikon Patosin si një bashki me probleme funksionale apo me mungesë kapacitetesh administrative e financiare. Përkundrazi, Duro thekson se Bashkia Patos renditet e 10-ta nga 61 bashki në nivel kombëtar përmes Indeksit të Funksionalitetit të Bashkive (IFB), duke grumbulluar 71.7 pikë, rezultat që konsiderohet në nivel të lartë.
Ky indeks vlerëson disa tregues të rëndësishëm, si autonomia fiskale, menaxhimi i buxhetit, mbulimi i funksioneve, efikasiteti i administratës dhe detyrimet financiare të prapambetura. Sipas kryebashkiakut, këta tregues dëshmojnë se Patosi ka një performancë të qëndrueshme dhe nuk plotëson kriteret për t’u konsideruar bashki që duhet të shkrihet.
Duro sjell edhe një krahasim me bashkitë e tjera të Qarkut Fier, duke theksuar se Patosi kryeson renditjen me 71.7 pikë, përpara Roskovecit (65.2), Lushnjës (65.0), Divjakës (59.0), Fierit (55.4) dhe Mallakastrës (50.4). Sipas tij, diferenca prej 16.3 pikësh me Bashkinë Fier tregon qartë se Patosi ka performancë më të lartë funksionale se bashkia me të cilën propozohet të bashkohet.
Kryebashkiaku vë në pikëpyetje logjikën e reformës, duke kujtuar se argumenti kryesor për konsolidimin territorial ka qenë mungesa e kapaciteteve administrative dhe financiare të bashkive të vogla. Në rastin e Patosit, ai thotë se vetë raporti zyrtar provon të kundërtën.
Në përfundim, Duro kërkon sqarime mbi arsyet konkrete që justifikojnë humbjen e statusit të Bashkisë Patos, kur sipas të dhënave zyrtare ajo renditet mes bashkive me performancën më të mirë në Shqipëri dhe mbi Bashkinë Fier në treguesit kryesorë të funksionalitetit.
KOHA JONË SONDAZH

