Dëbora, MT: Të përdoren zinxhirët
Ministria e Transporteve informoi të enjten se në akset rrugore të prekura nga reshjet e dëborës janë kryer rregullisht operacionet e pastrimit, me qëllim mundësimin e qarkullimit pa probleme.
Sipas një njoftimi për shtyp, në akset e Tropojës dhe Kukësit është bërë pastrimi dhe hedhja e kripës nga kontraktorët. “Akset në këto qarqe qarkullohen pa zinxhirë. Edhe në akset e Dibrës ka patur reshje debore, por kontraktorët po punojnë për pastrimin dhe hedhjen e kripës”, thuhet në njoftim, ndërsa rekomandohet përdorimi i zinxhirëve.
Edhe disa akse të qarkut Shkodër janë mbuluar nga debora, por tashmë janë pastruar, ndonëse qarkullimi rekomandohet me pajisje mbrojtëse. E njëjta situatë rezulton edhe në akset e Pukës, ku të gjithë kontraktorët janë duke punuar me borëpastruese dhe mjete të tjera.
Të njëjtat masa janë marrë edhe në akset rrugore të Tiranës, ku qarkullimi i automjeteve është mëse normal. Në disa vende ka patur rrëshqitje gurësh, por që janë pastruar nga kontraktorët, vijon njoftimi.
Qarkullim normal i mjeteve konstatohet edhe në aksin Elbasan-Qafë Thanë. Ndërsa në rajonin juglindor të Korçës është bërë hedhja e kripës për shkak të ngricave. Në Gjirokastër dhe në Llogara nuk ka probleme.
“Në të tre rajonet, kontraktorët janë në gatishmëri me mjete borëpastruese dhe fuqi punëtore. Rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në zonat ku ka ngrica dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore”, përfundon njoftimi i MT-së.

