Deputeti i PD Kreshnik Çollaku deklaron votën kundër për Kodin Zgjedhor: PD dhe Berisha u shitën!
Deputeti demokrat Kreshnik Çollaku ka njoftuar se vota e tij ditën e nesërme sa i përket reformës zgjedhore do të jetë kundër. Ai shkruan se opozita po i jep fitoren në tavolinë Edi Ramës për mandatin e katërt. Indirekt ai thotë se Berisha u shit!
Reagimi i plotë:
Vota ime nesër është KUNDËR.
Të dashur kolegë deputetë të Opozitës. Pavaresisht dallimeve apo kundershtive që përjetuam në këto vite të turbullta, ne kemi një gjë që na bën bashkë. Ajo është përballja me Ramën e maxhorancen e tij, dhe përpjekja për të mundesuar ndryshimin e ndalimin e qeverisjes së tij.
Nesër të gjithë ne jemi para një momenti kritik.
Duke shfrytezuar ndarjet e përçarjet e Opozites, Rama arriti që duke luajtur mes klimes së konfliktit opozitar të arrijë synimin e tij madhor. Të mbajë të pandryshuar (në thelb) Kodin Zgjedhor. Një kod që në situaten ku ndodhet Opozita, i jep Rames në tavolinë një avantazh prej 12-13 mandatesh, një Prim të padeklaruar.
Me një sistem zgjedhor ndarë në 12 qarqe dhe sidomos duke përjashtuar mundesinë e opozites për tu organizuar në Koalicione parazgjedhore, Rama ecen i sigurtë drejt zgjedhjeve të rradhes.
Rama mund ti grabisë zgjedhjet, mund të shkelë Kushtetuten, mund të na shtypë e mund të fitojë, por e gjitha kjo nuk mund të ndodhë me konsensusin tonë.
Pa Koalicionet Parazgjedhore , opozita ka dhënë gjithçka dhe s’ka marrë asgjë.
Ndryshimet në Kod që do të propozohen nesër janë Kapitullim i Opozitës.
Këto ndryshime nuk duhet të kenë konsensus e votë nga asnjë deputet opozitar.
Unë si deputet i PD do të votojë kundër këtyre ndryshimeve.
Ftoj çdo deputet opozitar të refuzoj konsensusin me një projekt që qartesisht shkon në favor të një mandati te 4-të maxhorances socialiste.