Dëshmia në gjykatë e kolumbianëve të kokainës

Dy kolumbianët e arrestuar brenda laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit, pranojnë se kanë punuar prej muajsh në përpunimin dhe nxjerrjen e ekstraktëve të kokainës nga rrobat dhe solucionet e ndryshme.

Çezar Avila dhe Valther Moreno, me ndihmën e përkthyeses ligjore i treguan gjyqtares së masave, arsyen e ardhjes në Shqipëri, rrugën e ndjekur, lëvizjet dhe vend qëndrimin në Tiranë si dhe pagesat për punën që kishin bërë në laboratorin e Xibrakës.

Ata i thanë gjyqtares se ishin njohur me një qytetar kolumbian me shtetësi Holandeze në Bogota me emrin Karlos, i cili fliste mirë spanjishten dhe i kishte ofruar punë në Greqi.

Sipas tyre kanë udhëtuar me aeroplan nga Bogota në Lisbonë, më pas në Romë, Athinë e Janinë nga ku me autobusin e linjës kishin ardhur në Gjirokastër.

Ata i thanë gjyqtares se gjithë kohës ishin të shoqëruar nga Karlosi dhe pas ardhjes në Greqi i kishte treguar se do punonin në Shqipëri në një punë të ligjshme.

Por, sipas tyre, nga Gjirokastra në Tiranë kanë ardhë me makinë të vogël ku i kanë vendosur në një hotel pranë ish-stadiumit Dinamo.

Aty, sipas dy kolumbianëve, Karlosi i ka dhënë fillimisht 4 mijë euro për ushqim dhe qëndrim dhe më pas edhe 5 mijë euro të tjera për punën që bënin në laboratorin e drogës në Xibrakë.

Ata i thanë gjykatës, se për të shkuar nga Tirana në Elbasan, ndërronin disa makina të vogla deri në laboratorin e Xibrakës, ku sipas tyre, gjithmon ishte prezent Karlosi i cili i tregonte se si duhet të punonin për të nxjerr ekstraktin e kokainës.

Edhe ditën që u arrestuan, kolumbianët pretenduan se aty ndodhej edhe Karlosi, që për hetuesit është emër fiktiv ose ndonjë pseudonim i të arrestuarve, që po punohet për ta zbardhur identitetin e tij.

Ata i thanë Gjykatës se ditën e arrestimit kishin nxjerrë rreth 450 gram kokainë dhe ishin në proces e sipër për të nxjerr pjesën tjetër që mendohet se ishte përzier me një solucion të ardhur nga vendet latine.

I gjithë procesi sipas tyre, ishte për të nxjerr kokainën e pastër që më pas përzihej dhe paketohej për të nxjerr në treg.

Ndërkohë, avokatët mbrojtës në sallën e gjyqit, mësohet se kanë kërkuar nga gjykata caktimin e masës së sigurisë së bllokimit të pasapoortës, kërkesë kjo që nuk u pranua nga Gjykata. /Abcnews/

SHKARKO APP