Dhunë në familje me pasojë vetëvrasjen, përfundon në pranga 31-vjeçari
Policia e Shkodrës arrestoi sot 31-vjeçarin me inicialet E. A, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim e vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës.
Policia njofton se 9-vjeçarja ështe gjetur e pajetë në lumin Buna, dyshohet e vetëmbytur. Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet pasi dyshohet se janë vetëmbytur dhe bashkëshortja dhe 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit.
“Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa. Bazuar në hetimet e kryera, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje”, bën të ditur Policia.
“Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.”, njofton Policia
“Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj. Vijon puna për gjetjen e 3 shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti”, përfundon njoftimin Policia e Shkodrës.