”Dil jashtë të flasim”, detaje nga sherri që i mori jetën të riut shqiptar në Itali
Një përplasje e lidhur dyshohet se me motive xhelozie ka përfunduar me një viktimë në Vescovato të Kremonës, ku një 24-vjeçar shqiptar është vrarë me thikë. Viktima është identifikuar si Nurian Dalipaj, ndërsa për ngjarjen është arrestuar 32-vjeçari italian Mattia Miraglia, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për vrasje dhe tentativë vrasjeje.
Sipas raportimeve të mediave italiane, ngjarja ka nisur në një lokal në Kremona, ku Miraglia ka parë ish-partneren e tij duke komunikuar me Dalipajn. Pas një debati mes tyre, situata ka agravuar në një përleshje jashtë barit, pas së cilës 32-vjeçari është larguar drejt banesës së tij në Vescovato.
Më vonë, Dalipaj dhe dy vëllezërit e tij kanë shkuar pranë shtëpisë së Miraglias. Sipas rindërtimit paraprak të hetuesve, 32-vjeçari ka dalë jashtë i pajisur me një thikë kuzhine dhe, pas një përplasjeje të dytë, ka goditur në fyt të riun shqiptar, duke i shkaktuar plagë fatale. Gjatë konfliktit ka mbetur i plagosur rëndë edhe vëllai 20-vjeçar i viktimës, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në terapi intensive. Edhe Miraglia ka pësuar një dëmtim në dorë gjatë përleshjes.
Hetimet vijojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërsa dëshmitë e mbledhura deri tani tregojnë se përplasjet mes palëve kishin nisur më herët dhe dyshohet se kishin lidhje me ish-partneren e autorit të dyshuar. Krimi ka tronditur banorët e Vescovatos, një komunitet i vogël në zonën e Kremonës, ndërsa autoritetet italiane po vijojnë punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së vrasjes.
KOHA JONË SONDAZH

